Policia ka dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me atentatin e regjistruar mesditën e sotme në Shkodër, ku u ekzekutua me armë zjarri brenda banesës së tij, Petrit Vuksani.
Blutë bëjnë me dije se kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle për kapjen e autorit.
Petrit Vuksani ishte i vetëm në banesë, në momentin kur i hyri autori brenda dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se rreth 1 muaji më parë ai ishte kthyer nga Anglia.
Dyshohet se autori e ka qëlluar me pistoletë me silenciator, pasi të shtënat me armë zjarri nuk janë dëgjuar nga komshinjtë e 51-vjeçarit. Motivet e krimit janë ende të paqarta.
Njoftimi:
Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, në rrethana ende të paqarta, në banesë, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. V., 51 vjeç.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për sigurimin e çdo prove, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.