Deputeti Agron Gjekmarkaj e sheh me shqetësim të madh situatën në Partinë Demokratike, ndërsa thekson se një opozitë e dobët nuk i shërben vendit.

Për “Top Story”, Gjekmarkaj i bëri thirrje Berishës që nëse i dhimbset krijesa e tij politike, të vetësakrifikohet. SHBA nuk jep shpresa se do të ndryshojë gjë për “non gratën” e Sali Berishës, thotë deputeti, duke shtuar se ai duhet të largohet dhe ta lërë PD-në të lirë që të bashkohet nën një lidership të ri.
Pjesë nga biseda:

Duma: Pse zvarritet në këtë nivel situata? Ka shanse që Berisha të dalë sot dhe të thotë që fajin për humbjen e ka Alibeaj dhe Basha.
Gjekmarkaj: Berisha do ta thotë po nuk është bindës.
Duma: Po raportet te të cilat var shpresat PD-ja me ambasadën amerikane, ndërkombëtarët…
Gjekmarkaj: Ne në çdo kontakt që kemi pasur me ambasadoren apo përfaqësues amerikanë kemi kuptuar se atyre iu interesonte një opozitë e fortë. Një Parti Demokratike e bashkuar.
Muajt e fundit me sa kam vënë re unë nga heshtja e tyre, sepse edhe heshtja është një gjuhë sot, gjatë fushatës nuk janë marrë më me Berishën. Nuk kanë në plan të ndryshojnë gjë nga qëndrimi i tyre. Janë shtet i vogël lëvizin ngadalë dhe nuk kanë në plan të ndryshojnë qëndrim ndaj Berishës.
Atëherë i takon Berishës të sakrifikohet dhe ta lërë krijesën e tij të lirë. Dhe Partia Demokratike të bashkohet nën një lidership të ri.