Qeveria gjermane këtë te shtunë ka njoftuar se po përgatit një paketë të re ndihme ushtarake prej 2.7 miliardë eurosh për Ukrainën , e cila përfshin disa tanke, automjete të blinduara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius është shprehur se Gjermania do të ofrojë sa më shumë ndihmë që mundet, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Ne të gjithë dëshirojmë një fund të shpejtë të kësaj lufte të tmerrshme të Rusisë kundër popullit ukrainas, por fatkeqësisht kjo nuk është në dukje. Për këtë arsye, Gjermania do të ofrojë sa më shumë ndihmë që mundet, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha në një deklaratë ministri gjerman.

Si pjesë e kësaj ndihme, Berlini do t’i sigurojë Kievit njëzet transportues të tjerë të personelit Marder, 30 tanke Leopard-1 dhe katër sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T-SLM, vuri në dukje Pistorius.

Nga ana e tij, Andriy Yermak, shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tha në një postim në Telegram se vendi do të marrë gjithashtu 200 dronë zbulimi, 100 automjete të blinduara si dhe një sasi të madhe municionesh.

Kjo është paketa më e madhe e ndihmës që Gjermania i ka ofruar Ukrainës deri më tani sipas mediave gjermane. Njoftimi erdhi një ditë para një vizite të mundshme në Gjermani nga Zelensky.

Sipas rrjedhjeve të mediave gjermane, presidenti ukrainas, i cili aktualisht ndodhet në Romë, ende do të shkojë në Gjermani për t’u takuar me zyrtarë të qeverisë dhe për të marrë çmimin Charlemagne të dielën.