Kryetarët e bashkive kanë ndryshuar në Gjirokastër, por krahu politik, jo. Më 14 maj, mjeku Flamur Golemi kërkon një mandat të dytë përballë kandidatit të Bashkë Fitojmë, Dorjan Lanit. Bashkimi i Lazaratit me bashkinë e re nuk ka ndikuar shumë në balancën e përgjithshme.
Bashkia Socialiste ka kontrolluar me lehtësi bashkinë e Gjirokastrës që prej të gjitha kohërave, ndërsa vetëm në një rast, në marrëveshje parazgjedhore, ajo ia la qytetin Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjirokastritët pritet të vendosin më 14 maj nëse do të vijojnë traditën e tyre me kandidatë socialistë, duke votuar kryebashkiakun aktual, Flamur Golemi, apo do të ndryshojnë krah, duke zgjedhur kandidatin e opozitës, Dorjan Lani. Nëse do ta bëjnë, kjo do të jetë një surprizë shumë e madhe. Qyteti është qeverisur nga Murat Kaçi i PS-së në vitet 2000-2003, nga Flamur Bime i PS-së në tre mandate 2003-2015 dhe nga Zamira Rami e LSI-së në koalicion me PS-në në vitet 2015-2019. Socialistët fituan zgjedhjet pa garë më 2019 me mjekun Flamur Golemi, por ata mobilizuan në këto zgjedhje edhe më shumë vota nga sa kishin marrë kandidatët e tyre në të shkuarën. Socialistët fituan gjithashtu me lehtësi zgjedhjet në nivel bashkie më 2021 përballë kundërshtarëve të tyre PD dhe LSI, kur morën 51% të votave.
Zgjedhjet e vitit 2021 në Gjirokastër u ndikuan nga vendimi kontrovers i qeverisë “Rama” për të urdhëruar karantinë për emigrantët nga Greqia, në kuadër të pandemisë COVID-19, gjë që i hoqi vota opozitës. Megjithatë, kjo nuk pritet të luajë rol në zgjedhjet e 14 majit për shkak se politikani i LSI-së në Gjirokastër, ish-deputeti Vangjel Tavo, nuk rezulton të jetë angazhuar në fushatë kësaj here.
Bashkia e Gjirokastrës përbëhet nga qyteti i Gjirokastrës dhe gjashtë ish-komuna, Cepo, Lazarat, Picar, Lunxhëri, Odrie dhe Antigone. Ndonëse qyteti i Gjirokastrës ka votuar vazhdimisht Partinë Socialiste, komunat kanë pasur rezultate të përziera. Lazarati, që më 2021, kishte gati 10% të pjesëmarrjes në votime, voton demokratët në masën 87% ndërsa edhe ish-komuna të tjera kanë zgjedhur në të shkuarën kandidatë të opozitës.
Bashkia e Gjirokastrës shtrihet në një zonë kodrinore dhe malore në të dy anët e Lumit Drino në Shqipërinë e jugut. Qyteti i Gjirokastrës ka të zhvilluar turizmin e trashëgimisë kulturore dhe një bazë të vogël industriale ndërsa zonat rurale janë të pasura me kullota dhe të njohura për mbarështimin e bagëtive të imta e nënprodukteve të tyre. Megjithatë, vendet e punës në sektorin jopublik dhe jobujqsor janë të pakta dhe popullsia e zonës ka ardhur në rënie, për shkak të emigrimit në masë dhe për shkak të lindshmërisë tradicionalisht të ulët.