Nuk është një ëndërr. Newcastle United është realiteti më i ri në Premier League, shembulli perfekt se si me punë, përkushtim, kurajo dhe durim mund të arrihet çdo gjë, madje të arrish dhe objektiva të cilët deri pak muaj më parë konsideroheshin çmenduri.
Skuadra e drejtuar nga Eddie Howe po përjeton një sezon në kufijtë e të pabesueshmes, duke shkuar kokë më kokë me rivalët më të mëdhenj dhe duke thyer rekord pas rekordi e duke kaluar pengesë pas pengese.
Fitorja e fundit në shtëpi përballë Brightonit me rezultatin 4-1 ishte edhe njëherë tjetër një konfirmim më se i qartë se asgjë nuk ka ardhur rastësisht për ”The Magpies” këtë sezon dhe ndërlidhja e lojtarëve me elementë të spikatur, pa shpenzuar shifra të çmendura, mund të formojë një grup të admirueshëm. Ashtu sic ka bërë Newcastle në edicionin aktual, ku ka fituar simpatinë e të gjithë futbollit britanik dhe të gjithë atyre që e ndjekin në mbarë globin.
Vendi i tretë në Premier League dhe 69 pikë të grumbulluara, të renditur vetëm pas Manchester City dhe Arsenalit dhe duke lënë mbrapa kundërshtarë të historisë e traditës si Manchester United, Liverpool e Tottenham. Tanimë, armatën e ”Toon” e ndan vetëm një fitore ndaj sigurimit matematik të zonës Champions, ku do të riktheheshin për herë të parë në kompeticionin më elitar që pas sezonit 2002/03, kur në atë kohë udhëhiqeshin nga një legjendë si Sir Bobby Robson dhe e mbyllnin kampionatin po si forcë e tretë në renditje.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ai moment, por jo impianti i St.James Park, i cili këtë sezon ka qenë burimi kryesor i forcës së skuadrës, motivuesi më i madh dhe gjithmonë duke i dhënë mbështetjen e duhur lojtarëve me atmosferën brilante që krijohet.
Lexo edhe:
Roma dedikim special për finalen, Mourinho e telefonon nga Gjermania
VIDEO/ Peja fiton titullin në basketboll pas plot një dekade
Pellegrini: Roma luajti e bashkuar si një familje, duke pasur identitet të fortë
E konfirmojnë në Gjermani, Xhaka firmos me Bayer Leverkusen në verë
Me plotësimin e kuotës së 69 pikëve pas fitores me Brighton, Newcastle ka barazuar kuotën më të mirë të pikëve që ka arritur ndonjëherë në Premier League, pasi 69 grumbullonte vetëm në sezonin 2002/03.
Gjëja më interesante është se kjo skuadër nuk ka një lojtar që dallon mbi të tjerët, por që të gjithë japin një kontribut të vyer duke filluar nga portieri Nick Pope, prapavija që ka pësuar vetëm 32 gola ku dallojnë Dan Burn, Fabian Schar, Sven Botman dhe Kieran Trippier. E për të mos u ndalur me kaq dhe për të vijuar me Bruno Guimaraes, Alexander Isak dhe Callum Wilson.
Për rendimentin e shfaqur përpara portës, Callum Wilson ka qenë lojtari më deçisiv i sulmit me plot 18 gola të realizuar në Premier League dhe sulmuesi anglez mund të tentojë një rekord shumë vjeçar në dy ndeshjet e mbetura të Premier League ndaj Leicester dhe Chelsea.
Bëhet fjalë për rekordin e Alan Shearer për më shumë gola të realizuar në një edicion me Newcastle në kampionatin anglez, me ikonën legjendare të klubit që ka shënuar plot 22 gola në sezonin 2003/04.
Një rekord i vështirë, por jo i pamundur për Wilson në këto ndeshje të mbetura dhe nëse Newcastle United na ka dhënë një mësim të madh në këtë sezon është pikërisht fakti që fjala e ”pamundur” nuk ekziston dhe se në futboll mund të arrihet çdo gjë nëpërmjet shpirtit të garës, harmonisë dhe dedikimit maksimal.