Mainz u kthye në makthin e Borusia Dortmundit, duke i hequr titullin kampion në javën e fundit të kampionatit, aty ku barazoi 2-2 dhe lejoi që Bajerni i Mynihut të festonte. Kjo ka bërë që tifozët verdhezi të plasin në ofendime kundrejt kundërshtarit.
Vetë trajneri i Mainz, Bo Svenson u shpreh se skuadra e tij meriton një çmim për drejtësi, ndërkohë që shtoi se duhet që të gjitha skuadrat të tregohen të ndershme dhe të mos ndikojnë në mënyrë jo të drejtë.
“A po flasim për sport? Normalisht e meritojmë një çmim për lojë të ndershme. Fituam kundër Bajernit dhe i gjithë Dortmundi festoi. Kjo fitore e jona e lejoi Dotmundin që të luftonte në javën e fundit dhe normalisht që atë që treguam ndaj Bajernit, e treguam edhe ndaj Dortmundit duke dhënë më të mirën.
Ishte e çuditshme kur kalonim pranë futbollistëve të Dortmundit. Ne do të donim të kishte një tjetër ekip kampion por nuk mund të ndikojmë në atë mënyrë. Unë dhe futbollistët paguhemi nga Mainz që të japim më të mirën tonë”, u shpreh trajneri.