Balerini Graciano Tagani ka rrëfyer më tepër detaje rreth jetës së tij personale dhe impaktin që la tek ai ndarja e dy prindërve.
Për rubrikën “Mama Single” në E Diell, Tagani tha se si person i ardhur nga një familje me prindër të ndarë, të mospasurit një baba në krah nuk ka qenë aspak e lehtë, megjithatë ai është rritur nga një nënë heroinë, dashuria e së cilës e bëri atë njeriun që është sot.
Por jeta vazhdon dhe njeriu duhet të shoh synimet e veta, tha Graciano, ndërsa këshilloi çiftet “që edhe kur ndahen nga bashkëshorti apo bashkëshortja, kurrë, kurrë të mos kenë frymën ndaj fëmijëve që babi jot apo mami jot është i/e keqe.”
Pjesë nga biseda:
Nevina Shtylla: Si është të jesh në një familje me dy prindër të ndarë? Ndikon te fëmijët? A rriten ata më të fortë apo kanë ato momentet e tyre të pasigurisë? Çfarë këshille do t’iu jepje të gjitha mamave që janë në situatë të tillë?
Graciano Tagani: Patjetër që ndikon sepse të mospasurit një baba në krah… Me ça kam vënë re gjërat kanë ndryshuar, sepse më parë nuk ka pasur emisione të tilla ku njerëzit ta pranojnë hapur që nuk është fundi i botës ndarja e dy prindërve apo një çifti, sepse shumë më mirë është një ndarje apo harmonia e një çifti sesa një familje ku fëmija shëh dhunë, sherre dhe ka një ngarkesë emocionale që i ndikon më vonë.
Nuk është e lehtë aspak. Edhe për mua nuk ka qenë aspak e lehtë megjithëse kam pasur një nënë heroinë, dhe jam rritur me shumë dashuri, gjë që më ka bërë mua një njeri më të mirë sot që sheh gjërat me pozitivitet, duke shmangur anët negative.
Jeta vazhdon dhe njeriu duhet të rritet dhe të shoh synimet e veta, pak rëndësi ka nëse ke një apo dy prindër. Mjafton që të jenë shëndosh e mirë dhe të dy të jenë prindër shumë të mirë, megjithëse nuk kanë qenë të mirë për njeri- tjetrin. Këshilla ime është që edhe kur ndahen nga bashkëshorti apo bashkëshortja, kurrë, kurrë të mos kenë frymën ndaj fëmijëve që babi jot apo mami jot është i/e keqe.