Në Champions gjërat po shkojnë më së miri, por për të mos prishur momentin dhe për të patur sigurinë e pjesmarrjes edhe sezonin e ardhshëm, Inter do të luajë sontë në orën 20:45 një përballje delikate kundër Sassuolo-s në Seria A.
Duke qenë se prej disa javësh luhet çdo 3 ditë trajneri Inzagi sërish ka zgjedhur të bëjë rotacion, duke filluar nga porta ku Handanovic do marrë vendin e Onana-s. Në mbrojtje Dambrosio do i japë mundësinë të pushojë Darmianit, ndërsa të njëjtën gjë do bëjë edhe De Vrij me Bastonin. Nga krahët pritet Bellanova të marrë vendin e Dumfries, ndërsa në mesfushë është rradha e Calhanoglu-s për të pushuar, me Brozovic të thirrur nga minuta e parë. Gjithashtu në sulm Lukaku dhe Correa do marrin vendin e Dzeko-s dhe Martinez, dyshja që luajti titullar në derbin me Milanin në Champions.
Inter ka katër fitore rradhazi në Seria A, por Sassuolo ka qenë gjithmonë një ‘mace e zezë’ për zikaltërit. Nëse skuadra e Inzaghit nuk fiton rrezikon seriozisht vendin e katërt, por një tre pikësh do ti bënte të parakalojnë Lazio-n në renditje dhe të synojnë vendin e dytë.