Simone Inzaghi nuk e fsheh lumturinë për këtë sukses të jashtëzakonshëm, finalja e tij e parë në Champions, e siguruar përballë Milanit, ka absolutisht një shije të veçantë:

“Ditët në vijim do ta kuptojmë më mirë atë që kemi arritur. Për ne fillimisht ishte një ëndërr, tani e bëmë realitet, por kemi besuar gjithnjë dhe kemi bërë një rrugëtim fantastik. Jam krenuar për djemtë, për gjithçka kemi bërë, për atë që kemi dhënë në fushë. Këtë vit kemi fituar katër derbe kundër kampionëve të Italisë, jam i lumtur për këtë, është e drejtë që tani ta shijojmë”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.

Në fakt, kjo ishte një fitore personale e trajnerit, shpesh në dyshim të fortë gjatë këtij sezoni, por për të blinduar Inzaghi-n ka qenë vetë presidenti Zhang:
“Jemi këtu prej 7 vitesh dhe kemi mbajtur skuadrën në nivele të larta. Për sa kohë jemi ne, Interi do të luajë gjithmonë për objektiv madhorë. Kam punuar me shumë trajnerë, por Inzaghi është fantastik. Është gjithmonë i qetë, në fitore e në humbje, ndaj do të qëndrojë gjatë në stolin e Interit. Pastaj, është i vetmi që nuk më kërkon lojtarë”, theksoi presidenti i Inter për faqen zyrtare të klubit.

Lautaro Martinez u shpall nga UEFA lojtari i ndeshje, për “demin” ky është një vit fantastik pasi finalja e Champions League vjen pas suksesit në Botëror: “Këtë sezon nuk jam ndalur edhe pse kam pasur një kavilje të shkatërruar. Tani jam në formë si në nivelin fizik ashtu edhe mental. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, jam shumë i lumtur. Finalja? Nuk ka rëndësi se kush do të jetë rivali. Ajo është një ndeshje teke, një finale. Kemi arritur deri këtu, duhet të japim maksimumin për të shkuar sa më lart të jetë e mundur”, u shpreh Martinez pas ndeshjes.