Rreth 17 mijë metra katrorë të sallave, korridoreve dhe dhomave, duke përfshirë një bodrum vere, një kazino dhe një kishë private – si dhe një shesh hokeji për të ndarë një nga pasionet e tij me kolegët – të pallatit të tij të stilit perandorak në Detin e Zi, Vladimir Putin i ka shtuar edhe dy tunele që duken si dy bunkerë.

Ajo që zbuloi ekzistencën e tuneleve, sipas faqes “Business Insider”, ishte neglizhenca e vetë ndërtuesve. Kompania që është përkujdesur për punën, “Metro Style”, në fakt ka publikuar në faqen e saj vizatimet e projekteve për dy tunelet.

“Metro Style” u themelua në vitet 1990 nga tre partnerë dhe kjo kompani kreu gjithashtu punimet për ndërtimin e tuneleve të metrosë së Moskës.

Ka kaluar më shumë se një dekadë, që kur imazhet u shpërndanë në një faqe që i quajti ato “mjete nëntokësore për një shtëpi pushimi në Gelendzhik” (Gelendzhik është qyteti më i afërt me shtëpinë), por të paktën deri në vitin 2016 ato mbetën të disponueshme për këdo.

“Insider”, tani është në gjendje të japë detaje të plota për dy tunelet. Dy ndërtesa të ndara, të arritshme nëpërmjet një ashensori që zbret në një thellësi prej 50 metrash, të furnizuara me ujë, ushqime, kanale ventilimi dhe një sistem instalimi elektrik, i cili garanton për disa njerëz një qëndrim me të gjitha komoditetet për ditë, nëse jo për javë.

Një demonstrim, sipas disa ekspertëve, i obsesionit të Putinit për mbijetesën e tij në rast të situatave të rrezikut serioz.

Njëri është 60 metra i gjatë, tjetri 40. Tunelet janë 6 metra të gjera dhe për këtë arsye garantojnë rreth 600 metra katrorë hapësirë, ​​në të cilën mund të lëvizet i mbrojtur nga sulmet, ndoshta edhe nga ato me armë bërthamore.

Nëse është e vërtetë se nuk është e mundur të përcaktohet me siguri aftësia e dy bunkerëve për t’i rezistuar një shpërthimi atomik, është gjithashtu e vërtetë që disa detaje ofrojnë dëshmi për të pohuar se ato janë shumë më të pajisura se sa dhomat e thjeshta, në të cilat mund të mbijetohet.

Ka njehsorë dhe matës kabllosh për të garantuar aksesin në rrjetin elektrik dhe komunikimet me fibra optike.

Ka gjashtë vende të ndryshme për të mbrojtur njerëzit brenda nga sulmet kimike. Gjithçka është rregulluar, pra, si në një “komandë” të vërtetë operacionale.

Secili nga tunelet ka një dalje që hapet në det pranë ndërtesës, dyert që dalin midis shkëmbinjve dhe rërës së bregut duken qartë në fotografi.

Një inxhinier ekspert i strukturave mbrojtëse, të cilit “Insider” i ka dorëzuar projektet, argumenton se nuk mund të thuhet me siguri nëse strukturat nëntokësore janë në gjendje t’i rezistojnë një sulmi atomik: do të varet nga mënyra se si do të përforcohen muret e betonit, se çfarë materiali është përdorur në hapësirat rreth tyre.

Michael C. Kimmage, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, u përpoq të hipotezonte se cilat arsye e shtynë “Carin” rus të ndërtonte këto struktura: “Putini ndjen se është në qendër të një konfrontimi me Perëndimin. Dhe ky konfrontim ka edhe një dimension bërthamor. Këta bunkerë janë thjesht pjesë e kësaj dinamike”.