Nga Jakin Marena
Besojmë që të gjithë ndajmë të njejtin mendim, se qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën e Zotit që ta shtrijë kontrollin e plotë në tërë territorin e saj. Pra dhe në Veri, pikërisht në komunat që kanë dominancë serbe.
Nuk mund të ketë qasje tjetër për asnjë vend demokratik, aq më tepër për Kosovën që u bë shtet falë ndërhyrjes së NATO-s me në krye SHBA-Britani, kontributit të UÇK dhe komandantëve të saj, nga Hashim Thaçi e deri te Ramush Haradinaj, që me forcën e armëve arritën të çlirojnë Kosovën nga okupimi serb dhe shqiptarët nga genocidi po serb.
Pra, shqiptarët e Kosovës janë fitimtarët e luftës me Serbinë, me ndihmëm e aleatëve tanë të mëdhenj. Anipse ish komandantët janë në burgun e sigurisë së lartë në Hagë nën akuzën absurde për krime lufte, ndërsa aleatët vijojnë mbështetjen për Kosovën, duke kontribuar drejtpërdrejt për sigurinë dhe ekzistencën e saj si shtet. Dhe s’ka asnjë gjasë që Serbia të rikthehet në Kosovë.
Por e kemi thënë dhe herë të tjera, dhe jo vetëm ne, që Kosova ka pasur dhe ka një betejë tjetër, akoma më të madhe, të fitojë paqen. Kuptohet, me ndihmën e pakursyer të SHBA dhe aleatëve të tjerë që nuk kanë reshtur se mbështeturi shtetin më të ri shqiptar në Ballkan. Dhe aleatët duhen pyetur, duhet të kordinohesh me ta, në të gjitha rastet.
Dhe paqja nuk fitohet me të njejtat metoda, si ato me të cilën Kosova fitoi luftën. Aq më tepër kur në krye të saj janë ata që kanë qënë kundër bombardimeve të NATO-s mbi Serbi e Kosovë, kanë qënë kundër krijimit të shtetit të Kosovës, kundër prezencës së NATO-s përmes KFOR në Kosovë dhe në veçanti kundër SHBA, që në krye të herës.
Duhet durim, duhen metoda efikase dhe mbi të gjitha bashkëpunim e koordinim me miqtë tanë të mëdhenj, SHBA, BE, Britania e Madhe e tërë bota demokratike, për të gjitha lëvizjet që kryhen dhe do të kryhen në favor të ngjitjes së Kosovës në vendin që i takon, krah vendeve demokratike dhe me qëllim prosperimin e qytetarëve të saj.
Ngjarjet e këtyre ditëve treguan pikërisht atë që të gjithë i frikësoheshin më shumë: Ecjen në kahjen e kundërt të asaj çfarë kërkohet nga qytetarët e Kosovës, nga partnerët ndërkombëtarë që e financojnë, mbikqyrin dhe e mbrojnë Kosovën.
Kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti me sa duket e ka kthyer në një linjë politike qëndrimin kundër SHBA, aq sa gjithnjë në këto vite qeverisje po bën të kundërtën e asaj që kërkon ky mik i madh i shqiptarëve, pa pyetur për faktin se amerikanët e çliruan Kosovën, po e mbrojnë dhe po e mbajnë larg ‘rrezes’ së përfshirjes në lojën e ‘ujqërve’ ballkanikë dhe jashtë ndikimit të Rusisë.
Pa llogaritur kostot që i ka shkaktuar që nga 1999 Kosova, SHBA përpos mbrojtjes së qytetarëve shqiptarë në shtetin më të ri në Europë të ngritur falë dhe forcës së armëve për të shpëtuar një popull nga genocidi serb, kanë dhe interesa strategjike dhe më gjërë për sigurinë e vendeve të Aleancës, po përballojnë një luftë në Ukrainë të shkaktuar nga agresioni rus, ajo që mund të themi është se këto mistrecllëqet e vogla ballkanike të Albin Kurtit, janë vërtet irrituese dhe jo fort të këndshme në këtë raport bashkëpunimi.
Situata në Veri të Kosovës e tregoi sa i drejtë ishte ky shqetësim gjithnjë e në rritje i aleatëve tanë, për një ecje ‘kontrapedal’ të qeverisë së Prishtinës, që me hyrjen e Albin Kurtit në krye të kabinetit qeveritar nëpër zyra.
Dhe Kurti nuk ka zhgënjyer asnjëherë, duke bërë pikërisht ato gjëra që nuk i donin aleatët tanë, dhe krijuar konflikte të panevojshme thjeshtë dhe vetëm për llogari të vockla elektorale, por dhe për të kënaqur egon e pashuar të liderit të qeverisë së Kosovës, i cili ndonëse as popullin e vet nuk e mban dot me bukë apo nuk ka ushtri që ta mbrojë, sillet sikur drejton një vend që është në ‘majën’ kontribuese botërore për ekonominë, në ‘majën’ kontribuese të NATO-s për ushtrinë dhe elementë të tjerë që e bëjnë një shtet të madh dhe të fuqishëm.
Përkundrazi, drejton një shtet që varet tërësisht nga ndërkombëtarët, që nga financat, drejtësia e deri te forcat e sigurisë për ruajtjen e qetësisë dhe tërësisë territoriale. Dhe mbi të gjitha një shtet që gati 80 përqind të të gjitha shkëmbimeve i bën me fqinjin e saj ‘armik’, Serbinë. Megjithëse kjo aspak nuk e cënon aspak të drejtën për të qeverisur, dhe mbi të gjitha nuk i jep aspak të drejtë Serbisë e Aleksandër Vuçiq që të dërgojë njerëzit nga Beogradi për të shkaktuar trazira dhe konflikte tepër të rrezikshme në Veri të Kosovës. Madje është skandaloz fakti që ai deklarohet publikisht se është vënë në krye të armatës serbe në kufi me Kosovën, si shenjë presioni ndaj shtetit më të ri në Europë. Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi, madje të madhe.
Megjithëse loja e Vuçiq është thjeshtë politike, këmbëngulim se janë marrë vesh në ‘ajër’ me Kurtin për të tensionuar situatën në veri të Kosovës, thjeshtë dhe vetëm për ca vota më shumë dhe për të shmangur firmosjen e marrëveshjes së Ohrit dhe hapjen e dialogut Kosovë-Serbi. Pasi në këto dy vende ballkanike nacionalizmi, qoftë dhe ekstrem vazhdon të prodhojë vota. Dhe Vuçiq kërkon të shfaqet si një lider i fortë para popullit të vet, në mënyrë që të relativizojë partinë e re, që ka nisur ta krijojë pas dorëheqjes nga kryesimi i SNS në pushtet. Dhe vijon në këtë rrugë me gjithë thirrjet e SHBA, BE e Britanikëve për të tërhequr kamikazët serbë të dërguar prej tij, brenda territorit të Serbisë dhe dhënies fund të provokimeve e dhunës në Veri.
Nga ana tjetër dhe Kurti, thjeshtë dhe vetëm për llogari elektorale, janë zgjedhjet e parakohshme në prag, kërkon të luajë kartën e nacionalizmit, të bëjë të fortin nga selia e kryeministrisë apo e Vetëvendosjes, të kundërshtojë amerikanët, britanikët dhe evropianët, në kërkesat e tyre për të qetësuar situatën në Veri të Kosovës, përmes tërheqjes së trupave policore nga 3 komunat.
Kurti deklaron se nuk tërhiqet nga vendimi për të mbajtur në zyrë me polici 3 kryetarë shqiptarë në komunat serbe në Veri, pavarësisht kërkesës së drejtëpërdrejtë të SHBA për të gjetur ambiente të tjera, jashtë selisë së këtyre komunave për të zgjedhurit shqiptarë, pas bojkotit serb të institucioneve dhe më pas të zgjedhjeve të pjesëshme.
Madje mbërrin deri në atë pikë sa e quan sekretarin amerikan të shtetit një ‘naiv’ që nuk e kupton se çfarë janë serbët, ndonëse Kurti ka për detyrë të qeverisë dhe në bashkëpunim me aleatët për të të bindur ata se kush janë shqiptarët, sa paqedashës dhe sa shtetformues janë. Kjo është detyra e kryeministrit të Kosovës në krye të herës. Pasi SHBA i njeh, dhe as që ndryshon mendim, vetë serbët, por dhe çdo rajon tjetër të botës. Ndaj është superfuqi.
Dhe një ditë më parë amerikanët kanë qënë të prerë në kërkesat e tyre ndaj qeverisë së Kosovës, të shprehur përmes ambasadorit Jeffrey Hovenier, në variantin ‘shqip-shqip’ më mirë me thënë. Dhe sanksioni i parë ka ardhur. “Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, tha ambasadori Hovenier. Madje duke nënvizuar se këto nuk janë pasojat e fundit, është fillimi.
Pra Kosova përjashtohet nga të gjitha stërbitjet e mëdha të NATO-s një privilegj që e kishte fituar direkt me mbështetjen e SHBA dhe aleatëve, si një ‘bonus’ paraprak, për një anëtarësim të shpejtë në Aleancë. Kurti ia shpërdoroi këtë mundësi Kosovës. Madje ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja ka pak entuziazëm për të punuar për interesa të Kosovës, momentalisht.
“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziasëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka thënë Hovenier. I cili vë në dukje se Kurti ka marrë kërkesë nga SHBA për të shtensionuar situatën në veri në vendit, por kreu i qeverisë së Kosovës ka vepruar në të kundërtën.
Praktikisht Kosova ka ‘rrëshqitur’ në diplomaci, duke u vënë kundër SHBA dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, dhe rrezikuar seriozisht ardhmërinë e shtetit më të ri shqiptar, thjeshtë dhe vetëm për pushtet. Gjë që nuk i ka hije një kryetari qeverie, aq më tepër kur kryeson një shtet si Kosova, me specifikat e veta, që kërkon domosdoshmërisht mbështetjen amerikane.
Teksa shohim sjelljen politike të Kurtit kundër SHBA, sulmin ndaj sekretarit Blinken, nuk ka si të mos na kujtojë Sali Berishën në Shqipëri. I cili që në krye të herës ka qënë kundër Amerikës, duke vepruar në mënyrë të vullnetshme kundër çdo sygjerimi të saj. Në fillim theu embargon e naftës dhe armëve të vënë nga OKB ndaj Milosheviçit, pastaj hapi portat e vendit për radikalët islamike të Osama Bin Ladenit, kundërshtoi Rambujenë, ngriti sistemin piramidal në Shqipëri dhe shkatërroi shtetin nga themelet, në qeverisjen e parë.
Por dhe në qeverisjen e dytë, teksa iu turr lekut, bashkëpunoi me vendet jo mike e armike të Shqipërisë dhe aleatëve të saj në NATO, që nga Beogradi e deri tek Rusia e Irani, në dëm të vendit që qeveriste por dhe sigurisë së SHBA e Aleancës. Arriti deri atje sa të marrë financim rus gjysmë milioni dollarë, pjesa e dukshme kjo, për të rrëzuar qeverinë e ligjshme shqiptare dhe destabilizuar vendin dhe rajonin, thjeshtë dhe vetëm për llogari të Kremlinit.
SHBA e shpalli ‘non grata’ Sali Berishën familjarisht, dhe sa të jetë ai në krye të grupimit më të madh opozitar, opozita nuk do të vijë kurrë në pushtet. Eshtë e mbyllur kjo, pavarësisht se i jep gajret vetes dhe mbështetësve Berisha, pavarësisht se nuk lë dalje publike pa shfrytëzuar për të sulmuar ambasadoren amerikane, sekretarin Blinken që sipas tij ‘e ka mashtruar Rama, pasi nuk i njeh shqiptarët’, duke sulmuar qeverinë amerikane se mbështet Edi Ramën dhe të tjera akuza që vetëm mendja e mbrapshtë e Berishës mund t’i shpikë.
Dhe Kurti pikërisht në ‘gjurmët’ e Berishës me sa duket po ecën, duke bërë thuajse të njejtën gjë me amerikanët, me shpresën se mund të marrë rezultat të ndryshëm nga Berisha, në armiqësinë e tij me SHBA. Kurrë nuk mund të ketë rezultat të ndryshëm me të njëjtat mjete. Kjo është e vjetër sa bota.
Ndërsa problemin e Berishës shqiptarët e kanë zgjidhur duke zgjedhur orientimin përkrah SHBA dhe aleatëve të tjerë perëndimorë, përmes izolimit të Berishës dhe lënies së tij përjetësisht jashtë pushtetit, rasti i Kosovës është tepër i komplikuar pasi është një anti-amerikan si Albin Kurti në krye të qeverisë së saj. Ndërsa ata që dinë të marrin vendime, qeverisin e bëjnë shtet janë në Hagë dhe me ndihmën e Kurtit.
Këta që janë në krye të opozitës në Kosovë, kundërshtinë më të madhe që kanë bërë ndaj Kurtit këto ditë ka qënë që të vetëpërmbahet, të mos u kundërvihet amerikanëve, dhe aspak, nuk kanë kërkuar siç mund të kërkojë çdo opozitë normale, dorëheqjen nga posti i kryeministrit për shtensionimin e situatës në veri. Ose sëpaku një mocion mosbesimi për Kurtin dhe qeverinë e tij në Kuvend. Apo opozita ia lë gjithçka në kurriz SHBA-së, pasi shpreson se ka dhe revokim vizash e vendime për ‘non grata’ për tërë drejtuesit e qeverisë së Kosovës. Siç duken bathët. Berishën e shpallën të padëshirueshëm në SHBA, Britani. Madje s’i japin as dorën. Kjo me sa duket u paralajmërua mes rreshtave dhe për Kurtin.
Prandaj, dhe në atë mbrapshtinë e vet, duhet të jetë Kurti që minimalisht të kërkojë votëbesimin në Parlament, pasi Veriu është problem politik. Të mendojë dhe largimin nga qeverisja, duke ia nënshtruar vendin zgjedhjeve të parakohëshme. Dhe nëse shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të votëbesojnë sërish Albin Kurtin, atëherë pasojat do të jenë patjetër katastrofike për Kosovën. Do të jetë e izoluar ndërkombëtarisht, do humbë dhe ato arritje që janë bërë në njohje dhe integrime gjatë tërë këtyre viteve. Pa mbështetjen e SHBA, Kosova dhe jo vetëm, është një hiç.
Ndaj pa humbur kohë duhet një zgjidhje politike, në mënyrë që Kosova e Serbia të nënshkruajnë marrëveshjen e Ohrit, dhe mbi të gjitha për Kosovën, të rikthehet bashkëpunimi me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, Britania dhe BE. Eshtë emergjencë, nëse politikanët kosovarë duan që t’ua lënë brezave ekzistencën e Kosovës si shtet dhe me miq të mëdhenj, në ditë të mira dhe të këqija.