Presidenti bjellorus Aleksader Lukashenko raportohet se është dërguar në spital në Moskë pas takimit me homologun e tij Vladimir Putin, raporton rrjeti amerikan Newsweek, duke cituar burime bjelloruse.
Raportimi shtonte se presidenti u dërguar në Klinikën Qendrore Spitalore të Moskës në gjendje serioze, sipas një postimi të ish-kandidatit presidencial bjellorus Valeri Tsepkalo, i cili tha se grupi i tij kishin kërkuar informacione të mëtejshme por nuk kishin arritur të konfirmonin raportimet, konfirmon më pas rrjeti amerikan Newsweek.
“Sipas informacioneve që kemi, presidenti Lukashenko, pas një takimi me dyer të mbyllura me Putin është dërguar urgjentisht në klinikën spitalore të Moskës, ku gjendet aktualisht prej të shtunës”, thuhej në raportimin e Tsepkalos në rrjetin Telegram.
Më tej ai shtonte: “Masat e marra për të shpëtuar diktatorin bjellorus kishin si qëllim evitimin e spekulimeve për shëndetin e tij apo të përfshirjes së mundshme të Kremlinit në helmimin e tij.”
Sipas Newsweek zhurmat për shëndetin e Lukashenko kanë qarkulluar që prej paraqitjes së tij në paradën ushtarake të Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj.
Lukashenko, i cili ka drejtuar Bjellorusinë prej vitit 1994, reagoi ndaj lajmeve duke thënë: “Nuk do të vdes djema, jo”.
Javën e shkuar Rusia nënshkroi me Bjellorusinë një akord për magazinimin e armëve bërthamore ruse në vend, sipas ministrisë bjelloruse të mbrojtjes.