Juventus u dënua mbrëmjen e të hënës nga Gjykata e Apelit me heqjen e 10 pikëve nga renditja e sezonit aktual, duke përfunduar jashtë zonës Champions, megjithatë makthi për bardhezinjtë nuk ka përfunduar ende.
Kjo sepse dënimi i Gjykatës së Apelit ishte vetëm për akuzat për plusvalencat, në mënyrë që të manipulojnë bilancin sportiv, megjithatë për bardhezinjtë është zhvilluar edhe një hetim në lidhje me pagat dhe detyrimet ndaj klubeve të tjera në sezonet 2019-2020 dhe 2020-2021.
Vendimi për këtë çështje pritet të vijë më 15 qershor, ku Juventusi me shumë gjasa do të marrë një tjetër dënim, që nuk dihet ende nëse do të aplikohet këtë sezon, apo sezonin e ardhshëm.
E si të mos mjaftojë kjo, paralelisht për bardhezinjtë është duke zhvilluar një hetim edhe UEFA, që ka marrë të gjithë dokumentet nga prokuroria e Torinos dhe po merr në konsideratë përjashtimin e Juventusit nga Kupat e Europës.
Edhe vendimi i qeverisë europiane të futbollit pritet të vijë brenda muajit qershor, muaj që pritet të jetë padyshim shumë i vështirë për Juventusin, pasi rrezikon të kompromentojë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen, nëse mbetet jashtë garave europiane.