Qershori i vitit 2021 do të mbahet mend gjatë nga Christian Eriksen i cili në ndeshjen hapëse të Danimarkës në Euro 2020 ndaj Finlandës, humbi ndjenjat në fushë si pasojë e një arresti kardiak.
Mesfushori trembi të gjithë të pranishmit në “Parken Stadium” teksa ndërhyrja e menjëhershme e mjekëve dhe më pas transportimi urgjent për në spital aty ku u krye edhe një ndërhyrje kirurgjikale, bënë të mundur që danezi t’i mbijetonte sulmit në zemër.
Së fundmi, Eriksen që fatmirësisht është rikthyer të luajë rregullisht dhe pa probleme kujton për “The Telegraph” momentet e para pas sulmit kardiak ndërsa thekson se teksa ishte i shtruar në spital e pa disa herë videon e tij duke u rrëzuar në fushë.
“E pashë sërish momentin kur u rrëzova në fushë, ishte një ditë më mbrapa teksa isha i shtruar në spital dhe doja që të përjetoja emocionet për t’u përgatitur më pas për atë që më priste mbrapa. Për mua ai moment nuk do të jetë asnjëherë i lehtë pavarësisht sa kohë do të kalojë. Nuk dua as ta mendoj. Kam mësuar që të shijoj më shumë jetën, futbollin dhe të luaj për t’u argëtuar. Sepse nëse nuk argëtohesh duke luajtur futboll atëherë është më mirë që të merresh me diçka tjetër”, u shpreh Eriksen.