Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Për Tiranën e shqiptarëve përtej Drinit…

Kadare e quan Shqipëria e Jashtme. Në Kosovë dhe në Tetovë i thonë Shqipëria e përtej Drinit. Të tjerë, Shqipëria etnike. Ose autoktone. Në fakt është pjesa themeltare e Shqipërisë natyrore. Trevat e njohura si vatra të nacionalizmit, të cilat gjenden jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Breza të tërë, figura të shquara kanë pasur përkushtimin e tyre në njësimin e kombit në një teritor të vetë, të pandarë dhe jetik.

Menjëherë pas luftës, kur takova për herë të parë xhaxhain e Agim Çekut, dhe ai i tregoi se isha nga Shkodra, plaku i mënçur, që sapo kishte varrosur vëllian dhe të afërmit e tjerë, më shikoi me vemendje dhe tha natyrshëm: “Pasha atë kohë kur kemi kenë Shqypni!”. Është më shumë se çështje malli. Shumë nga shqiptarët që banojnë përtej Drinit, apo në Shqipërinë e Jashtme, do të votojnë me 14 maj, për zgjedhjet e pushtetit vendor. Kanë nënshtetësinë shqiptare dhe një jetë e tërë ka dëshmuar se e kanë merituar. Pothuajse të gjithë janë banorë të Tiranës. Vetëm ndonjë përjashtim i pakët do të mund të jenë votues në Vlorë apo në Durrës, a diku tjetër. Tirana është qendra që i ka mbledhur ato, sepse kjo ka qenë edhe ëndrra e tyre.

***

Teuta Hadri është një figurë e shquar në Kosovë. Mbesë e historianit të njohur gjakovar, Ali Hadri, ajo ka bërë vetë historinë e jetës së saj. Ish e burgosur politike në pushtetin titist, pjesë e Lëvizjes së rezistencës, përfaqësuese për shendetëso në Zyrën Politike të UÇK-së në Prishtinë, luftëtare, mjeke e shquar, deputete në Kuvendin e Kosovës, nënshkruese e aktit të Pavarësisë së Kosovës, autore e librit të mrekullueshëm, në dy pjesë, “Krimi që pashë me sytë e mi”, ditari i saj i luftës, ku ishte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që nga dita e parë dhe deri në momentin e fundit.

Pak vetë kanë pasur jetën e saj dhe kaq përkushtim ndaj lirisë. Është nënshtetëse e Shqipërisë. Ditën e djeshme më shkroi se me 14 maj do të ishte në Tiranë për të votuar. E di se ajo, me familjen e saj, me bashkëshoprtin, Hilmi Ramadani, po ashtu i burgosur politik dhe pjesë e strukturave drejtuese të UÇK-së, e kanë më shumë se obligim njerëzor. Ata e duan Shqipërinë, në çdo skaj, në veçanti Tiranën.

E kanë dashur Tiranën në dhembjen e saj, e duan tani në gëzimin dhe rriten e saj. E duan me atë që po ndodh, shtrirjen e gjithanshme, godinat, hotelet, rrugët, gjithnjë e më të pastra, sheshet, njerëzit, restorantet, qetësinë dhe mrekullinë e darkave që të afron. Duan për njerëzit e saj, ashtu si edhe për mbarësinë që ka marrë e ardhmja e Tiranës. E duan për gjallërinë e Erion Veliajt dhe për shndrrimet që po ndodhin. Janë banorë të saj, të devotshëm dhe të përkushtuar.

***

Jam i bindur se me 14 maj do të vijnë edhe Lladrovcët. Prej shume viteve qytetarë të Tiranës. Pak kush e ka merituar si ky fis i lavdishëm i Kosovës të jetë nënshtetas shqiptarë. Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xheva Krasniqi, janë dy nga luftëtarët më të shquar të lirisë së Kosovës, të cilët, pas 21 viteve aktivitet, burgosjeve dhe përndjekjeve, do të vriten sëbashku, në të njëjtën ditë, 22 shtator 1998, në të njëjtin vend, pak minuta larg njëri tjetrit, në Kodrën e Qendresës. Ramizi, ish ambasadori i Kosovës në Tiranë, deputeti i dikurshëm dhe drejtuesi i komunës së Drenasit, njëra nga dy pjesët e Drenicës, e ka njohur nga afër Tiranën në të gjitha vitet. Si pjesë themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në atë që njihet si Grupi i Drenicës, bashkëluftëtar me Adem jasharin dhe përfaqësuesi i tij në Perëndim, i njohur me emrin e luftës, “Veshi”, e do Tiranën e sotme për shumë çka që të afron ky qytet i rritur befasisht me ritmet më të larta, ndoshta se çdo qytet tjetër evropian.

E do Tiranën e Lalë Erit qoftë edhe për bukurinë e qytetit, që zgjatet tani edhe jashtë qendrës, për lehtësinë me të cilën mund të kryesh një shërbim apo një detyrim, për rrugët, ku vonesat po bëhen gjithnjë e më të shkurtra; ku miklimi i pushtetit bëhet njësh me përkushtimin e bashkisë; e do Tiranën për gjeneratën e re, të shkolluar, gjithë jetë, që, po ashtu, e duan Kosovën. Më është kujtuar shpesh, edhe këto ditë mendova për kohën kur përsonaliteti i lavdishëm i UÇK-së, deri në vitin 1997 e kishte të ndaluar të shkonte në shtetin shqiptar, pasi, sëbashku me shumë të tjerë ishte në një listë të qeverisë së kohës, të cilëve, si ilegalë dhe pjesë të UÇK-së u ndalohej hyrja. Gjërat kanë ndërruar.

Jam i bindur se shumë familje të shquara të Kosovës, të cilët gëzojnë sot nënshtetësinë e shtetit shqiptar , do të jenë me 14 maj. Do të jenë Jasharët e mëdhenj, fisi i lavdishëm i luftës, por edhe i mendjes së qetë dhe jetës dinjitoze; do të jenë fisi Kodra, biri i të cilëve, Ilaz Kodra, komandanti i Brigadës 114 të UÇK-së do të vritej në fundin e luftës, së bashku me Antigonën, tezen 17 vjeçare; do të jetë e bija, Krenare Kodra, që lindi pas vrasjes heroike të babait të saj. Do të jenë Ukhaxhajt, familja e të cilëve është prijëse e lëvizjes së rezistencës në Deçan, do të jenë akademikë dhe shkrimtarë, historianë, njerëz të sportit. Do të jenë nga familja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Haradinajt…

Përse shqiptarët e përtej Drinit e duan kaq shumë Tiranën?

Në çdo fund javë, sipas të dhënave nga agjensitë turistike të Kosovës, në Tiranë venë për të pushuar, argëtuar, takuar me miqtë e shumtë apo shijuar netët e mrekullueshme të Tiranës, rreth 18 mijë vetë. Qindra të tjerë vijnë nga Tetova, Gostivari, Dibra, dhe nga Dibra tani për dy orë e gjysmë je në Tiranë. Vijnë nga Ulqini, Tivari, Gruda, Hoti. Në pikun e lëvizjeve kjo shifër është shumë më e madhe. Qindra kanë banesat e tyre. Ndjehen si në shtëpitë e tyre. Lëvizin, bëjnë pazar, shetitin, ulen në lokalet e shumta, disa prej të cilave është e vështirë të gjenden në tërë trevat ballkanike, takohen me miqtë e shumtë, pasi miqësia e shqiptarëve e ka thyer me kohë kufirin; lexojnë, duan të dinë më shumë për Pabejn, Aleks Budën, ndjekin itenerarin e kadaresë, adhurojnë Dritëroin, e dinë qytetin më mirë se shumë qytete të tjera të Kosovës.

Çfarë e bën të veçantë në sytë e tyre Tiranën?

Është kryeqyteti i shqiptarëve, këtë thonë të gjithë, megjithëse shumë prej tyre, duke mbështetur idenë e Ukshin Hotit, politologut të shquar, thonë se, në rast bashkimi kryeqytet duhet të jetë Prizreni; por kjo është e pamjaftueshme. Tirana është ndryshe tani. Rrëmuja e para shumë viteve nuk është më. As Tirana e përgjumur nuk është më. Në Tiranë ka jetë. Ka dëshira. Në Tiranë mund të takosh më lehtë një mik prishtinali, se sa në qytetin e tij. Mund të takosh kërçovarët e Ali Ahmetit, po aq natyrshëm sa të jesh në vendlindjen e tij, në Zajas. Të takosh qeveritarë, bile, më shpesh se të tjerët, mund të takosh edhe kundërshtarët e Tiranës politike. Sepse Tirana e sotme shuan mëritë, qëndron mbi ankthet e politikës së ditës, bëhet pjesë e të gjithëve dhe shuan mëritë.

Qeveritarët e Tiranës, bashkiakët e saj, mund t’i duash apo mos t’i duash, të përkrahësh punën e tyre apo të mohosh gjithçka. (në fakt mohuesit më të mëdhenj janë snobët tiranas nga cektinat e mediave), kryebashkiakun Veliaj mund ta duash apo jo, ta adhurosh apo mezi të presësh të ketë ndryshim politik, por Tirana vetë të ndjell; të ndjell nga e mira ajo që bëri në 8 vite Veliaj, sepse, sado fjalë të ketë, ajo që është bërë do të mbetet. Nuk kam njohur ende një njeri në Shqipërinë e përtej Drinit që nuk e do Tiranën. Të sotmen , më shumë se të djeshmen. Të nesërmen, më shumë se të sotmen. Njerëzit i heqin kapelen punës dhe ndryshimit nga e mbara. Këto mbetin. Të tjerat janë të përkohsshme dhe, mbi të gjitha, të pa rëndësishme.