Nga Alba Malltezi/
Një pyetje e thjeshtë që mund t’u bëhej miliona prindërve dhe nxënesve të shkollës së mesme në gjithë botën: A do të mundnin ata me një vërtetim notash (edhe të shkëlqyera qofshin) të kapërcenin nga një vit i pambaruar në shkollën e mesme, direkt në Universitet? Në cilindo cep të botës?
Mund të pyesni majtas dhe djathtas, përgjigja është e padiskutueshme: E pamundur. Mund ta thonë këtë prindër, nxënës dhe profesorë, pikërisht sepse në botën e civilizuar janë vendosur një cikël rregullash që nuk mund të shkelen as nga një gjeni, as dhe nga një që shkollën nuk e gëlltit dot. Një shtet demokratik, duam nuk duam, mbahet dhe bazohet në ligje dhe rregulla, ndryshe quhet diktaturë apo anarki. Por jo shteti i Saliut dhe Ilirit.
Ky kapërcim rregullash i ka ndodhur Belind Këllicit dhe ndodhte rëndom në Shqipërinë e viteve të universitetit Kristal e të qindra shkollave, universiteteve-kioska, që ishin bërë më keq se kioskat buzë Lanës apo të Parkut Rinia në kryeqytet. Ishin vitet e “arta” të pushtetit të sëmurë të Sali Berishës, vitet që nëse ishe njeriu i tij mund të bëje me Shqipërinë dhe në Shqipëri cfarëdo gjëje që të shkonte në mendje dhe të dëshiroje. E kuptueshme pse disa për atë kohë kanë vërtetë shumë nostalgji. E kuptueshme edhe pse Belind Këllici, edhe pse një i ri, u bë pikërisht kandidati i tyre: i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Me siguri nostalgji e thellë për kohën kur pa mbaruar shkollën e mesme u “katapultua” në një Universitet në SHBA ku i vëllai diti se si ta regjistronte.
Belind Këllici bën sikur nuk e kupton se për cfarë akuzohet nga media dhe vazhdon të publikojë nota e dëftesa, të marrë vërtetime e lavdërime përvec asaj që akuzohet: Hilen me diplomën e pjekurisë. Eshtë një hile në të cilën nuk është i vetëm, në vitet e “arta” të sundimit të pashallëkut të Sali Berishës. Universitete-kioska e shkollat e mesme-kioska nxirrnin me shumicë “kuadro” që mbushën administratën e mediat, pa studiuar. Nuk janë të rrallë individët që nuk e kanë mbaruar të mesmen e gjenden, përmes falsifikimesh, korrupsionit apo privilegjesh politike, sot me shkollëa të larta. Por jo të gjithë u dyndën të kandidojnë si kryebashkiakë të Tiranës. Shumica rrinë ashtu, të fjetur, të urtë, të pandjerë, duke shijjuar atë që kanë përfituar nga një hile në zinxhirin shkollor. Guximin e mori vetëm kandidati i Saliut dhe Ilirit.
Disa thonë se “një kryebashkiak mund të jetë edhe pa shkollë”. Është e vërtetë. Një kryebashkiak, apo edhe një President mund të jetë brilant, i ndershëm, i mencur, i aftë edhe pa shkollë, por ama jo hileqar. Një i pashkollë nga një hileqar i ndan në mes një oqean.
Dhë në fund, këtë hile (e madhe apo e vogël e gjykon vetë cdo prind a student që është përballur me një cikël shkollor) është e pabesueshme si si vrapojnë ta mbulojnë edhe gazetarë, apo shoqata të mirëfinancuara edhe nga institucione të huaja të besueshme si USAID. Janë të gatshëm të shesin sapunin për djathë pa e carë kokën se jemi një vend i vogël dhe lidhjet familjare dhe interesat që i bashkojnë me ata që bënin marifete në kohën e universiteteve e shkollave-kioska, janë tepër të dukshme.
Me 14 maj do ta kuptojmë nëse Shqipëria nuk u bën më “skonto” askujt që kapërcen radhët e gjata, rigoroze dhe të mundimshme të jetës, qoftë edhe të një shkolle,dhe kemi ardhur vërtetë në pikën e artë të zhvillimit tonë kur njerëzit dimë t’i peshojmë nga ajo që bëjnë dhe jo nga ajo që thonë e premtojnë, apo përfaqësojnë. Qoftë ai Saliu apo Iliri.