Partia Socialiste duket se po e mbështetet fushatën e saj në bashkinë e vogël të Vorës te deputeti i ri, Ornaldo Rakipi, i cili, në zgjedhjet e vitit 2021, arriti të marrë në këtë bashki mbi 3500 vota pëlqyese ose mbi 40% të të gjitha votave të fituara nga socialistët.
Ornaldo Rakipi, deputeti i Partisë Socialiste që u bë i njohur në vitin 2021 pasi arriti të “thyejë herësin” për t’u futur në parlament, duket se është i zënë në këtë kohë. Nga postimet e tij në Facebook, ai njofton se po merr pjesë në takime elektorale në mbështetje të kandidatit të Partisë Socialiste për postin e kryetarit të Bashkisë Vorë, Blerim Shera.
“Me Blerimin, Vora premton të kthehet në një vatër mundësish per të rinjtë dhe të ketë një fytyrë të re urbane,” deklaroi ai në 24 prill, duke publikuar foto nga një takim në qytetin e Vorës. “Bërxullë, me banorët e zonës në një takim me energji fantastike dhe optimizëm për perspektivën e zhvillimit të zonës me ekipin e punës dhe përkushtimit me në krye Blerimin, për V❤rën që duam,” shkroi ai pak ditë më vonë.
Banorët e Vorës do të kenë mundësi të zgjedhin mes Blerim Sherës, një sociolog që ka punuar në sistemin arsimor të Vorës para se të bëhej kryebashkiak vitin e kaluar dhe Indrit Hoxhës, një prurje e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që ka punuar edhe si nëpunës i Bashkisë Tiranë në periudhën 2011-2015.
Zgjedhjet në territorin e Bashkisë Vorë kanë qenë me rezultat të përafërt mes palëve. Në zgjedhjet e vitit 2021, kandidatët e PS-së morën 48% të votave përkundrejt 49% të kandidatëve të PD-së, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2015, kryebashkiaku i mëparshëm i qytetit, Fiqiri Ismaili, arriti të fitojë me një numër shumë të vogël votash përballë kandidatit të LSI-së Luan Sallaku, i cili garonte në koalicion me Partinë Socialiste. Situata duket se ka ndryshuar kryekëput më vonë, megjithëse bashkia kaloi në trazira. Agim Kajmaku, kryetari i bashkisë që doli nga zgjedhjet pa garë të vitit 2019, humbi mandatin nga ligji për dekriminalizimin, ndërsa bashkia e Vorës konsiderohet financiarisht e falimentuar për shkak të detyrimeve të prapambetura. Pavarësisht kësaj, socialistët fituan me lehtësi zgjedhjet e parakohshme në vitin 2022 përballë dy kandidatëve të opozitës së përçarë.
Socialistët arritën gjithashtu sukses të rëndësishëm elektoral në Vorë në vitin 2021, kur, ata dhe aleatët e tyre, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, fituan 54% të votave, vota të rëndësishme që llogariten në Qarkun Tiranë dhe që janë vendimtare për shumicën parlamentare.
Angazhimi i Rakipit në Bashkinë Vorë është i kuptueshëm. Në zgjedhjet e vitit 2021, ai mori 3500 vota pëlqyese në territorin e Bashkisë Vorë, ose 40% të të gjitha votave që mori Partia Socialiste në ato zgjedhje në Vorë. Rrjedhimisht, mbështetja e Rakipit mund të jetë vendimtare për kandidatin socialist.
Ornaldo Rakipi është i biri i ish-deputetit Aqif Rakipi.