Pas Belind Këlliçit, kandidati i dyshes Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, një tjetër kandidat i të njëjtit çift politik rezulton me probleme me shkollimin. Nëse Belind Këlliçi nuk ka diplomë të shkollës së mesme dhe nuk dihet nëse ka diplomë të shkollës së lartë, kandidati i çiftit Meta-Berisha për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha, ka falsifikuar diplomën e shkollës së lartë.

Diploma false e Arjan Hoxhës u zbulua gjatë veprimtarisë së komisionit hetimor për ndryshimet në Policinë e Shtetit, komision i kërkuar nga vetë Partia Demokratike në vitin 2014. Provat u publikuan asokohe nga deputeti Taulant Balla, por nuk dihet nëse nisi api jo një hetim. Falsifikimi i listës së notave nga Arjan Hoxha, i cili ka mbajtur detyra të rëndësishme në Policinë e Shtetit, është provuar me një akt ekspertimi.

Pas kryerjes së ekspertizës shkencore u vërtetua se ish-shefi i Sektorit të Krimit Ekonomik në Policinë e Qarkut Tiranë, Arjan Hoxha, ka falsifikuar nënshkrimin e ish-Drejtorit të Akademisë së Rendit Luan Veliqoti. Megjithatë, koalicioni i çiftit Berisha-Meta e kandiduan Hoxhën për Bashkinë e Kamzës. Në dokumentet e kandidimit përfshihet edhe diploma. Mbetet për t’u parë nëse Arjan Hoxha ka dorëzuar në KQZ apo jo diplomën false dhe nëse e ka plotësuar me korrektesë formularin e dekriminalizimit.

Arjan Hoxha doli në skenë si pjesë e strukturës paramilitare të PD-së në Elbasan, në zgjedhjet parlamnetare të 2021. Në njoftimin e policisë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë, thuhet se njëri prej të pranishmëve, Arjan Hoxha, i është prezantuar forcave të policisë si përgjegjës i sigurisë  për shtabin elektoral të subjektit politik Partia Demokratike për Qarkun Elbasan. Hoxha ishte emëruar në vitin 2017 nga Gazment Bardhi, kur u bë ministër Drejtësie, si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Bardhi e kishte marrë Arjan Hoxhën si të besuar në shtabin e armatosur në Elbasan.

Pasi Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga PD-ja në 9 shtator 2021, Gazmend Bardhi qëndroi në kampin e Bashës. Ndërkaq, Arjan Hoxha nisi të distancohet gradualisht nga Bardhi dhe Basha, duke u afruar me Berishën. Hoxha u pa ulur një rresht mbi Berishën në Kuvendin Kombëtar paralel të dhjetorit 2021, mbajtur në stadium. Në prill të vitit 2022, Arjan Hoxha u zgjodh kryetar i PD-së së Kamzës. Me këto lëvizje, Hoxha fitoi besimin e Berishës për të kandiduar për Bashkinë e Kamzës.

Dokumentet e falsifikimit të diplomës nga Arjan Hoxha, kandidati i Berishës për Bashkinë e Kamzës