Marrëdhënia mes Lionel Messit dhe klubit të Paris Saint-Germain duket totalisht e krisur.
Klubi vendosi të pezullojë argjentinasin pas udhëtimit pa leje në Arabinë Saudite teksa “pleshti” tashmë nuk është më i pranuar në kryeqytet as nga tifozeria e parizienëve. Një histori që pritet të përfundojë pa lavdinë e menduar teksa trajneri Christophe Galtier komentoi për herë të parë mbi vendimin e drejtuesve të klubit për të pezulluar Messin. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Troyes në kampionat, tekniku francez u shpreh se ai është thjesht një punonjës i PSG dhe se nuk do të komentojë asnjë vendim që merret nga drejtuesit e klubit.
“U informova në fillimin e javës mbi vendimin e klubit për të pezulluar Leon. Është një vendim i marrë nga drejtuesit dhe unë preferoj të mos e komentoj. Jam thjesht një punonjës i PSG dhe nuk mund të komentoj mbi të tilla vendime”, u shpreh Galtier që iu shmang në këtë formë pyetjes së gazetarëve.