Presidenti i Institutit Liberal Pashko, Preç Zogaj, sheh dy rrugë të cilat mund të ringrenë edhe një herë opozitën e vendit, për të marrë më pas pushtetin dhe larguar qeverinë e Edi Ramës.
I ftuar këtë pasdite në rubrikën “Opinion” në News24, Zogaj, referuar rezultatit të këtyre zgjedhjeve ku opozita pësoi një humbje të thellë, tha se sipas standardit të sjelljes politike, kreu i partisë (grupimit) duhet të japë dorëheqjen, për t’i hapur rrugën më pas një lidershipi të ri. Këtë rrugë ai thotë se e sheh pak më të vështirë për t’u ndjekur nga Sali Berisha.
Një tjetër rrugë sipas tij që mund të ringrejë opozitën, është që partitë kryesore opozitare të punojnë veç e veç në këto dy vite për t’u rritur, e më pas në zgjedhjet e ardhshme të krijojnë koalicion zgjedhor. “Unë referoj standardet e sjelljes politike, që janë të tilla që kur një parti humbjet zgjedhjet që ka premtuar që do fitojnë, e në këtë sens pas një humbjeje të tillë, jep dorëheqjen. Votëbesimin ata e kanë të parashikuar në statutin e ri, dhe besoj se do ta ndërmarrë Berisha këtë hap sepse e deklaroi edhe vetë. Sa i takon të ardhmes, shoh dy rrugë…
E para, Berisha mban një qëndrim si person, për këtë rezultat, tërhiqet nga drejtimi i grupit, tërheqja e tij çon në zhdukjen e vijës ndarëse që ka sjellë në këtë situatë. Nëse kjo ndodh do krijojë kondita për një riorganizim të ri të PD. Me një ekip të ri drejtues. Por duke ndjekur deklaratat e Berishës, duket sureale.
Rruga e dytë që e shoh si më realiste, është që të trija partitë kryesore të opozitës, por dhe parti më të vogla që kanë qenë të pranishme në këto zgjedhje, të bien dakord për ekzistencën ose bashkëveprimin si opozitë plurale. Secila prej tyre riorganizohet dhe punon për këto dy vite për t’u rritur. Të rriten veç e veç dhe më pas të bëjnë koalicion zgjedhor. Siç është shembulli i Italisë”, u shpreh ai. Ai tha se nëse nuk ka reflektim nga opozita për arsyet që e çuan në këtë humbje, atëherë gjërat mund të shkojnë më keq.
“Nëse nuk ka reflektim për arsyet e humbjes që lihen me vetë opozitën, atëherë më keq do shkojë. Të gjithë e shohin… si përralla e Andersenit me mbretin lakuriq… E dinë se çfarë ndodh, por i vijnë rrotull. Kërkojnë të shpjegojnë rezultatin e këtyre zgjedhjeve me histori para 10-15 viteve. Jo, rezultatin e shpjegojnë historitë e këtyre 12-16 muajve. Është e qartë për këdo që do ta kuptojë”, u shpreh Zogaj.