Nga Ylli Pata/
Dalja e sotme e Sali Berishës, vetëm 5 ditë pas zgjedhjeve me një deklaratë zyrtare për çështjen e pagave, duket se është një devijim i axhendës së tij elektorale. Ai, doli në një konferencë shtypi ku i kërkoi kryeministrit që të sjellë sa më shpejt projektligjin e ri për pagat, pasi deputetët përkrah tij do ta votonin menjëherë.
Ka një skenë epike në filmin e njohur të Piro Milkanit: “Shtigje Lufte”, kur çeta e Pezës hidhet në sulm kundër trupave të Ramazan Dacit, që luhet nga i madhi Ndrekë Luca. i cili shikon “trimat” e tij të ikin nga sytë këmbët ndërsa po përparojnë trupat partizane. Ramazan Daci(Ndrekë Luca) hipur në kalë thërret: “Ktheuni mor horra”. Pikërisht ky fenomen, duket se ka ndodhur në kampin e BF-së, ku po ndjehet realisht një hemoragji të asaj që “spin”-ët elektoral të saj e konsideronin target besnik që nuk lëviz. Strategjia e polit politik që ai krijoi me Ilir Metën, ishte në vija të trasha e përcaktuar, siç dukej se edhe ajo e Ramës ishte e vulosur. Sali Berisha dhe partneri i tij, do të sulmonin pa fund Edi Ramën në makro, duke e cilësuar si një qeverisje e korruptuar e abuzuese, së bashku me kryebashkiakët e tjerë, duke i cilësuar si hajdutë, trafikantë, narkomanë, shpirtzinj e gjëra të tilla. E synimi në këtë fushatë është i qartë, të mblidhnin rreth vetes pjesën më radikale të votuesve anti-qeveri e anti-PS.
Siç nga ana tjetër, Edi Rama, kishte bërë gati strategjinë e tij, ku do të bombardonte “Non Gratën” e partnerët e tij, që sipas kryeministrit janë “një e ndarë përgjysëm”. Mirëpo deri më sot, u pa që aktori politik i cili po fiton terren më shumë me këtë strategji, është mazhoranca. Kjo për shumë faktorë, qoftë nga efikasiteti i mesazhit kundër Non Grata-s, bazuar në epërsinë dhe logjikën e depërtimit të saj, qoftë edhe nga bllokimi i Berishës si pasojë e hyrjes në një artific politik me Ilir Metën. i cili nuk se u sqarua para militantëve të opozitës, po ju afrua siç ndodh rëndom tek ne si një “fait accompli”.
Mungesa e jehonës së duhur të mesazhit elektoral u pa që në fillimin e fushatës, ku papritur mediat pranë Sali Berishës e Ilir Metës, nisën të nxjerrin me video e foto, persona që sipas tyre kanë “tradhëtuar” opozitën, duke ju bashkuar Edi Ramës. Me akuzën tashmë të njohur se “janë shitur”. Ishin kryesisht persona të thjeshtë që dikur kishin qenë në mitingjet e PD-së e sot u panë në tubimet e Edi Ramës. Madje në bastionet më radikale të tyre, ku ata e konsiderojnë si “feud politik”. Në mitingun e madh të zhvilluar në Kamëz, Edi Rama kërceu me një grua e cila punonte në bashki që në kohën e Xhelal Mziut. E në intervistat që dha ajo në televizione, përveçse përmendi mos lëvizjen nga administrata e kryetarit socialist të bashkisë, foli edhe mbi rritjen e pagave.
E kështu, firimi i njerëzve nga mitingjet e Berishës nga veriu në jug, nuk se ndodhi sa hap e mbyll sytë, por duket se kishte një mbivlerësim prej strategjistëve të BF-së, të targetit elektoral që ata mendonin. Ndërkohë që Rama përparonte në sondazhe, duke hyrë në terrenin e elektoratit gri, ku futen edhe ish-militantë të opozitës, alarmi u shtua në mjediset e foltores dhe partisë së Ilir Metës. Në fillim, duket menduan ta zgjidhin në mënyrë “ klasike”, pra duke linçuar e denigruar “dezertorët”. Ku nuk kursyen as Luizin e BBV-së, të cilit i kujtuan se e kishin bërë konsull dhe i kishin dhënë licensë noteri, as Ermal Mamaqin e artistë të tjerë që mbështetën publikisht Lali Erin.
Por, duket se nuk bëri efektin e pritshëm. Pasi dihet se në këto raste përdoret përveç shkopit, edhe karrota. Ndaj duket kaluan në një plan të improvizuar «B », që sipas gjasave nuk se ishte menduar herët. Gjithsesi, efekti i largimit apo dezertimit, hyn tek ato fenomene që konsiderohen fatale dhe paralajmëron një dramë të madhe. Armata e Gjermanisë së Hitlerit në fushatën e Rusisë ishte më e motivuara, më mirëpajisura dhe më e aftë, por dezertimi masiv ishte i pashmangshëm pas Stalingradit. Edhe ushtria e kuqe e Stalinit, nuk shpëtoi nga ky fenomen, edhe pse kreu sovjetik kishte vendosur urdhrin “asnjë hap prapa”, ku pushkatohej nga “Çeka” kushdo që dezertonte. Megjithatë, hemorragjinë e ndali vetëm kthesa e fitoreve që nisën në Stalingrad. A po ndodh edhe ky fenomen edhe me Berishën? Devijimi i axhendës është një shenjë…