Nga Ylli Pata
Nxitimi i Gaz Bardhit për të komanduar lidershipin e komanduar të Partisë Demokratike pas largimit të Lulzim Bashës, nuk ka asnjë kuptim politik.
Përveçse për të sistemuar vetë Bardhin e Jorida Tabakun, që kanë mbetur në një udhëheqje që prej kohësh nuk eksizton më, lidershipi i vjetër nuk ka asnjë kartë përfaqësimi të demokratëve.
Pas zgjedhjeve të 6 marsit 2022, shpërtheu një histeri nga një grup drejtuesish të PD-së kundër Lulzim Bashës, duke u mbështetur tek një argument apo qëndrim, i cili nuk kishte fundament.Sipas atij grupi që pjesën më të zhurmshme pati Grida Dumën e Ervin Saljanjin, Lulzim Basha duhej të largohej për arsye se ikja e tij do të ndihmojë bashkimin e demokratëve që u ndanë pas shpalljes Non Grata të Sali Berishës, e sidomos pas daljes së foltores.
Foltorja e Berishës, ka qenë që në momentin e parë që ka dalë një grup politik që kërkonte të merrte pushtetin në PD, por asnjëherë nuk guxoi të vepronte brenda suazave staturore e rregullave të partisë më të madhe të opozitës. Siç ka ndodhur gjithmonë me Sali Berishën, ai rregullat i konsideron si instrumente të synimeve të tij, pra një llastik që hapen e mbyllen sipas midesë, e jo kufij ku nuk mund të kalohen.
Të gjitha hapat organizativ që ka bërë Foltorja e Berishës kanë qenë devijim, shkelje e kapërcim të rregullave dhe institucioneve të PD-së. Nga fillimi e në fund. Duke u arritur deri aty, sa më 6 mars 2022, Foltorja, pra Berisha me pasuesit, vendosën që nën një sigël elektorale me emrin e Monika Kryemadhit, të dilnin kundër PD-së në zgjedhje.
Në çdo parti a subjekt politik botëror, kjo nuk quhet gjë tjetër veçse një rrugë e re politike, e nuk ka lidhje me një fraksion apo grupim korrentesh brenda partisë. Në çdo parti normale, ai që del në zgjedhje, pra kandidon kundër forcës politike që i ka takuar, konsiderohet automatikisht i larguar nga ajo pari. E është krejt e qartë, pa pasur nevojë edhe për vendime shtesë.
Megjithatë, drejtuesit e PD-së, pas 6 marsit i kërkuan Lulzim Bashës të bëjë një hap pas, duke e konsideruar një shkak që pengon bashkimin e demokratëve. Siç dihet Basha iku, por bashkimi i demokratëve nuk ndodhi. Sepse Sali Berisha, donte thjesht të merrte drejtimin e PD-së, ku mënjanoi mjaft aspirant që i kishte pëlqyer foltorja si trampolinë. Evi Kokalari është vetëm njëra e më e njohura, pasi aty ka pasur shumë që janë zhgënjyer.
Gjithsesi, pas ikjes së Lulzim Bashës, dy ishin institucionet që u ruajtën në PD. Lidershipi i komanduar dhe ai i grupit parlamentar, që përfaqësoheshin nga Enkelejd Alibeaj dhe kolegji i kryetarëve, që përbënin dhe strukturën më solide në territor.
Tashmë është e qartë se një grup i madh deputetësh e ka humbur lidhjen me territorin dhe kanë tentuar që të lëvizin në lobe pushteti për të siguruar rikandidimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme. E kështu nisi një lëvizje fluide e parlamentarëve të PD-së herë me foltoren, herë me PD zyrtare, ç’ka krijoi një kaos për një kohë të gjatë. Por zgjedhjet e 14 majit, e ndanë me thikë situatën.
Kryetarët e PD-së, së bashku me pak vetë në kryesi, kërkuan që partia të përfaqësohej në zgjedhje me kandidatë në të gjitha bashkitë. Kjo nuk u pranua, pasi pjesa më e madhe e kryesisë, ku Gazmend Bardhi e Jorida Tabaku ishin zëdhënës, kërkuan që PD të përkrahte kandidatët e foltores. E më 14 maj, version i Gaz Bardhit e Jorida Tabakut humbi ndjeshëm. Kryetarët e degëve të PD-së, bashkë me bërthamën që kërkonin kandidimin arritën të siguronin më shumë se 100 mijë vota mbijetese për PD-në.
Bardhi nuk ka kuptim që pas kësaj humbjeje politike të opsionit të tij të drejtojë apo edhe të jetë regjencë e një partie, ku nuk e do asnjëri. Ndërkaq, edhe në grupin parlamentar, mund të vendoset si përfaqësues një deputet me autoritet të lartë intelektual, i cili së paku nuk është përfshirë në dy grupet. E dy nga këta janë ose Agron Gjekmarkaj ose Flutura Açka.
Ose të zgjidhet nga kolegji i kryetarëve që tashmë është forumi politik që arriti të mos e shuajë PD-në në zgjedhjet që u rrezikua nga ithtarët e një bashkimi fals, që realisht përbën një nënshtrim ndaj Sali Berishës.