Nga Ylli Pata/
Kush e solli Lulzim Bashën në mesin e demokratëve? PSe doli ai tani? Çfarë kërkon ish-kryetari i dorëhequr i PD-së? A mund të kemi një Lulzim Bashë të ri në krye të opozitës? Këto janë disa nga pyetjet që vijnë spontanisht pas takimeve që Lulzim Basha po bën këto ditë me disa anëtarë të rinj të PD-së në struktura të qyteteve kryesore. Këto takime, duken si lëvizje e sforcuar e ish-kryetarit të PD-së, jo thjesht se ata që ai po i takon vijnë me urdhër, por se forma që Basha po i jep këtyre takimeve shtojnë pikëpyetje. Kush e njeh situatën politike në strukturat e PD e di që Basha mund të bëjë takime edhe më të mëdha me anëtarët e PD-së në degët në 61 bashkitë, takime që mund të dalin shumë më të mira se këto shfaqet nëpër lulishte.
Degët e PD-së, edhe sot e kësaj dite, pra pas një viti janë në shumicën e tyre janë pro Bashës, madje ata i kanë kërkuar prej kohësh atij që të përballet me Berishën që kur e përjashtoi nga grupi parlamentar. Si persona brenda strukturave të PD-së, ashtu edhe ata që e njohin situatën, e dijnë faktin se Lulzim Basha dhe strukturat e PD-së, pra degët kanë një marrëdhënie të afërt. E pikërisht nga kjo marrëdhënie nisi edhe revolta e deputetëve të PD-së pas 6 marsit 2022. Në takime t e zhvilluara në disa qytete, Basha në mënyrë indirekte i ka goditur kolegët e tij të grupit parlamentar, të cilët nga degët e PD-së nuk i duan t’i shohin me sy. Po ç’vaj kanë njerëzit, kur edhe deputetët, edhe piramidën e drejtimit të PD-së me Bardhin, Joridën e të tjera, ka qenë pikërisht Lulzim Basha që i ka propozuar dhe miratuar.
Ndaj duket e çuditshme kjo lloj kinezërie incognito që i bën konfliktit që shpërtheu dhe që është prezent në Partinë Demokratike zyrtare, ku edhe Lulzim Basha është një nga personat që e përkrahin ngaqë i ka dëgjuar më shumë. PD e sotme, sado duket një situatë absurde është një mjedis mjaft interesant që përbën një revolucion të vërtetë në politikën shqiptare. Imagjino një parti politike ku fuqinë e kanë drejtuesit e degëve në territor dhe jo kryetari. Ndaj Lulzim Basha thjesht të mbështesë dhe institucionalizojë këtë fuqi demokratike që vjen nga poshtë e të lerë pallavrat për prishje të paktit 2008 apo gjera të tjera si vettingu politikanëve e me radhë. Nëse vërtetë bëhet fjalë për një nismë për të bërë transparente pasurinë e politikanëve, thjesht ta bëjë ligj e çojë në Kuvend si dekriminalizimi.
Por ajo që nuk bëhet publike në diskutimet e paneleve, është se Basha nuk u kundërshtua nga deputetët për shkak të Berishës. Pasi kishte deputetë si Grida Duma që morën një pozicion të fortë anti-berishë me 8 janar 2022 apo Ervin Saljanji që u filmua edhe me hu në dorë. Ata dolën kundër Bashës sepse ai u dha carta biancha krerëve të degëve të PD-së. Të cilët i bënë hasha deputetët e tyre kryesorë. Ja shikojeni se si Saljanji u largua nga Korça në Kavajë, edhe pse për vite ka investuar në atë qark, por që dega e PD-së e zboi. Kështu ka ndodhur realisht me të gjithë deputetët që ju kundërvunë Lul Bashës pas 6 janarit. Dhe Basha e di mirë dimensionin e kësaj lëvizjeje, madje gjasat janë se e ka menduar që të heqë gështenjat me duart e kolegëve të degëve. Të cilët nuk e mendojnë ashtu, por e konsiderojnë si një ushtrim demokracie.
Por Basha, duhet ta artikulojë hapur këtë zhvillim, qoftë edhe si mekanizëm të ri politik. i cili do të kthejë së paku një standard që pak ose shumë ka funksionuar në një farë mënyre në politikën e partive kryesore. Që kandidatët për deputetë, kryebashkiakë, apo edhe këshilltarë, sa është e mundur diskutohen nga anëtarësia, e nuk katapultohen kaq thjesht. Po arriti Lul Basha të rikthejë apo institucionalizojë këtë standard, nuk është pak. Por jo me fjalë, por me garanci të qarta meqë është edhe jurist. Nëse PD e zbaton një standard, nuk do të vonojë shumë që në një farë mënyre edhe PS apo partitë e tjera ta implementojnë. Ndryshe, opozita e bën kalë beteje, dhe e “nxjerr bukën” deri në 2025-n, e s’është çudi të fitojë edhe zgjedhjet…