Shtëpia e Bardhë ka vlerësuar se Rusia ka pësuar 100,000 viktima vetëm në pesë muajt e fundit të luftimeve në zonën e Bakhmut.

Duke detajuar vlerësimet e fundit, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se SHBA beson se rreth 20,000 trupa ruse janë vrarë që nga dhjetori. Gjysma e tyre janë nga grupi ushtarak privat Wagner, tha Kirby, duke shtuar se vlerësimi bazohet në inteligjencën amerikane të sapodeklasifikuar.

“Ofensiva ruse në Bakhmut, në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, ka “ngecur” dhe “dështuar””, shtoi Kirby.
Moska e ka përqendruar pushtimin e saj në rajonin e Donbasit muajt e fundit, veçanërisht në qytetin Bakhmut të Donetskut. Megjithatë, mendohet se Bakhmut nuk është kapur plotësisht nga forcat ruse – dhe ushtarët ukrainas kanë filluar kundërofensiva në zonë.