Nga Jakin Marena/
Zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor nuk prodhuan në total një rezultat të papritur, pasi ishte e sigurtë se koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha do humbiste përballë socialistëve të drejtuar nga Edi Rama. Madje parashikimet ishin bërë për këtë humbje të thellë. Por këto zgjedhje dhanë shumë të papritura, duke evidentuar përfundimisht se Berisha është e keqja e këtij vendi dhe se ai është shpallur i padëshirueshëm edhe nga të gjithë shqiptarët. Madje dhe nga demokratët, të cilët me sa duket kanë dhënë votën në shumicë kundër tij, vetëm që t’i ‘lehtësohet’ rruga për të dalë jashtë politikës.
E themi këtë sepse Berisha ka humbur në krye të herës në vendlindjen e tij, Tropojë, bashki e cila historikisht është qeverisur nga ana e partisë së urdhëhequr prej tij, dhe mbi të gjitha gjithnjë ka nxjerrë deputetë po nga kjo forcë politike. Këtë radhë, kandidati socialist i cili do të drejtojë për një mandat të dytë bashkinë e Tropojës, përmbysi dhe tërë mjegullnajën e krijuar nga Berisha, sipas të cilit në vitin 2019 Byberi në krye të kësaj bashkie ishte i emëruar nga Rama, pasi PD kishte bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Rexhë Byberi jo vetëm që fitoi përballë kandidatit të Berishës, por fitoi thellë referuar, rezultatit përfundimtar. Madje bëri ‘nul’ dhe thirrjet e Berishës për përplasje Veri-Jug.
Një ‘poshtërim’ politik ky për Berishën, si për t’i treguar se për të nuk ka vend jo vetëm në SHBA, Britani apo në të gjitha vendet demokratike, por as në vendlindjen e tij, ku tashmë zyrtarisht është bërë i padëshirueshëm politikisht. Fitorja e socialistëve në Tropojë këtë tregon.
Ndërkohë që për herë të parë socialistët marrin dhe drejtimin e bashkisë së Shkodrës, ku kandidati i PS, Benet Beci ka shënuar një fitore tepër të thellë me mbi 11000 vota më shumë se sa kandidati i Berishës, kreu i deritanishëm i bashkisë Bardh Spahia. Beci ka shënuar një fitore tepër të madhe, të parën e këtij lloji për PS në këto 32 vite në kryeqendrën e veriut, Shkodër. Ajo që mund të themi është se fitoi oferta më e mirë, fitoi vota kundër Berishës, fitoi besimi që ngjalli mazhoranca socialiste me këtë kandidature serioze që grumbulloi rreth vetes tërë elitën e Shkodrës, përmes projekteve të shpalosura para qytetarëve shkodranë, që do ta rikthejnë këtë qytet në lavdinë e dikurshme, si ‘porta’ hyrëse për gjithçka pozitive në Shqipëri e për shqiptarët. Duke mos i përmendur emër për emër të gjitha bashkitë që koalicioni i udhëhequr nga Berisha ka humbur në zgjedhjet e 14 majit, mund të evidentojmë faktin se përfundimisht e Berisha s’ka më asnjë bastion ku mund të mbështesë alternativën e tij demonstrimit të forcës e të dhunës politike, nuk ka më asnjë ‘hambar’ ku mund të sigurojë me lekët e taksapaguesve protestues të dhunshëm kundër shtetit, për të tensionuar situatën sa herë është në hall personal.
E themi këtë sepse Berisha humbi Kamzën, humbi Vorën, po humb Kurbinin me Mamurrësin brenda, Lezhën po e po. Por dhe bashki të tjera që pretendonte që të mund t’i kishte si ‘vagonët’ e lokomotivës së tij që ushqehet me ‘karburantin’ e hallit të tij personal, si “non grata’ funksional që është, dhe në përballje me drejtësinë për një sërë akuzash, të cilat presin hetimin e thelluar të SPAK. Nëse do të ndodhë ndonjëherë. Pra Berisha është në pikën më të ulët të tij politike, i rrënuan dhe i poshtëruar politikisht në këtë rikthim të tij të dytë në politikën aktive, pasi deri më tani ka marrë si koalicion bashkë me Partinë e Lirisë, PBDNJ-në e Dules dhe PDK e Ndokës, vetëm 6 bashki. Eshtë një katastrofë elektorale kjo e Berishës, si udhëheqës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, çka paralajmëron se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë thjeshtë një formalitet, pasi socialistët e kanë shtruar rrugën për një mandat të katërt dhe nuk është habi, që të deklarohet nga mazhoranca se tashmë po punohet për mandatin e pestë qeverisës.
Eshtë në të gjithë të drejtën e Zotit ta thonë këtë, pasi gjasat janë që opozita do të vazhdojë të qëndrojë në këtë trend humbës, rrëmujë, me konflikte dhe pa asnjë mundësi riorganizimi apo ‘ristartimi’ për shkak se që tani kanë nisur të dalin në tregun politik alibitë e humbjes më 14 maj. Duke filluar nga kontestimi i rezultatit të nxjerrë përmes votimit elektoronik në zonat ‘pilot’ në Kamzë, Vorë dhe gjetkë dhe duke u mbajtur tek e vetmja fitore e ‘madhe’ e opozitës, ajo e Fred Belerit të PBDNJ në Himarë. Me 19 vota më tepër, por ama quhet fitore, duke deklaruar madje se fituan duke pasur kundër tërë shtetin. Për hir të së vërtetës kjo bashki u fitua dhe për shkak prokuroria me nxitimin e saj për ta mbyllur në qeli Belerin, i dha një ‘dorë’ këtij kandidati kontravers, i cili nuk duhej lejuar nga KQZ as të kandidonte për të mbledhur rreth vetes tërë mbështetësit ku janë e ku s’janë dhe për të marrë atë që dëshironte, fitoren në Himarë. Dhe nëse i referohemi deklaratave të vetë Belerit, për të rritur ‘helenizimin e saj’.
I vetmi gëzim për Berishën me sa duket ka mbetur Himara, një ‘gëzim’ i lig i tij, pasi në tërë këtë humbje e poshtërim politik, ia doli që ta lërë ‘litarin jashtë’ pikërisht në bashkinë e cila sa herë që është qeverisur nga përfaqësuesit radikalë, ka qënë qendër ku nacionalistët grekë, të shpallur të padëshirueshëm dhe nga vetë Athina zyrtare siç janë përfaqësuesit e Agimit të Artë, të gjejnë ‘parajsën’ e nacionalizmit në Himarë. Për t’u bërë mediatikë me një fjalë, përmes problemeve që sjellin këtë këtë zonë, duke nxitur përplasjen ndëretnike. Që s’ekzistson por që shpiket. Dhe këtë shans ua dha pikërisht ai, ‘nacionalisti’ dhe ‘patrioti’ i kulluar shqiptar, Sali Berisha. Njeriu që kë nuk akuzon për shitjen e interesave të vendit, përmend cilindo shtet që i bie në mendje se ia ka shitur Rama Shqipërinë, ndërkohë që vetë ai është njeriu që mbështeti një kandidat për Himarën, Belerin e qarqeve më të zeza të nacionalizmit grek, të padëshirueshëm dhe për vetë politikën, shoqërinë e shtetin grek. Ama e la ‘litarin jashtë’ Berisha, në këtë fund të turpshëm politik të tij. Edhe kjo tregon se halli i Berishës është tepër iu madh!
Të rendisësh arsyet se përse koalicioni i udhëhequr nga Berisha humbi thellësisht përballë socialistëve, do të thotë të biesh në përsëritje, pasi gjithçka ishte paralajmëruar më parë, qoftë nga qëndrimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë që e thanë në variantin ‘shqip-shqip’ se nuk përkrahin të shkuarën dhe bënë thirrje dhe për elektoratin opozitar që të mos i ndjekin këta përfaqësues të së shkuarës. Por ishte paralajmëruar dhe nga qëndrimi i shqiptarëve, të cilët teksa kanë si busull orientimin perëndimor, nuk jemi kot populli më pro-amerikan në Europë, kishin dhënë shenjat e qarta se nuk do të ndiqnin hallin personal të Berishës dhe aleatëve të tij, të cilët opozitën e donin thjeshtë dhe vetëm për të sfiduar SHBA, BE e vendet e Perëndimit, për të sfiduar drejtësinë dhe për ta pasur si mburojë politike për hallin personal të tyre.
Këtë e treguan dhe të gjitha sondazhet serioze në këtë vend, ku opozita e udhëhequr nga Berisha ishte në nivelin më të ulët të përkrahjes nga shqiptarët. Për PD zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ajo që mund të themi është se përpos fitores së shënuar në Apel duke mbajtur vulën dhe logon e partisë, pjesa tjetër nuk ka histori. Madje nuk i ‘hyn në punë’ as Berishës për ta përdorur si alibin për humbjen rrënuese, që shënoi opozita në zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor. Në fund të herës, ajo që mund të themi është se Shqipëria nuk ka opozitë dhe kjo nuk është aspak e mirë. Por akoma më i frikshëm është fakti se Sali Berisha as që ka ndërmend të largohet nga drejtimi i grupimit më të madh në PD, “Rithemelimi”, duke e shtyrë procesin e riorganizimit, rithemelimit apo ringritjes së PD drejt një afati të pacaktuar. Me sa duket në gjallje të tij, është 80 vjeç por i fortë fizikisht, s’do ketë asnjë proces ringritjeje tek e djathta shqiptare. Vetëm shuarje. Mister mbetet se cili do të jetë reagimi i Metës, nën siglën e të cilit garoi më 14 maj Berisha. Do të marrë ato që i takojnë nga pushteti vendor të fituar më 14 maj, këshilltarët bashkiakë themi, për të dalë më vete apo do të qëndrojë sërish me Berishën. Pavarësisht deklaratave në rrjetet sociale që akuzon ‘narko-shtetin’ se mori votat më 14 maj, qëndrimi i Metës mbetet për t’u parë. Deri më tani, zyrtarisht sëpaku, ka heshtje nga selitë respektive.