Mëngjesi i së martës përsëri i gjeti protestuesit serbë para komunave veriore, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.
Tensioni ishte i dukshëm në Zveçan, ku pas përplasjeve të një dite më parë, perimetri i sigurisë nga KFOR ishte zgjeruar.
Me gjithë provokimet e ofendimet, situata u përcoll e qetë deri në shpërndarjen e protestuesve në orën 16:00 të pasdites me urdhër të Listës Serbe.
“Protestat e serbëve do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave, përkatësisht tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, ashtu si edhe kryetarëve shqiptarë”, u shpreh Sllagjan Miloslavleviç.
Megjithatë situata ishte e tensionuar në Leposaviq ku në vazhdimësi është penguar puna e gazetarëve që edhe i sulmuan e pastaj ua demoluan veturat e mjetet e punës.
Ndërkohë më të përmbajtur u treguan protestuesit në Zubin Potok, të cilët hapën vetëm tenda dhe i mbyllën ato që në orën 15:00.
Për shkak të pamundësisë për të shkuar në komunë, kryetarët shqiptarë të Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë punuar nga zyrat për komunitete në fshatrat e banuara me shqiptarë.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci thotë se punën do ta zhvillojë nga zyra për komunitete në fshatin Kelmend.
“Për shkaqe sigurie, nuk kemi dashtë të bëhemi pjesë e asaj trazire. Jemi vendosë këto, është pjesë e komunës”, tha kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Ai thotë se do të kthehet në objektin zyrtar të komunës së Zveçanit kur të jetë e sigurt që ta ushtrojë detyrën nga aty.
Serbët do të vazhdojnë protestat në orën 7:30 të mërkurën.