Nga Skënder Minxhozi
Në pjesën dërrmuese të sondazheve të opinionit publik në këtë kohë fushate, është shfaqur një kontradiktë shifrore, e cila të bën të kruash kokën në hezitim dhe mëdyshje. Institutet e huaja të sondazheve të cilat janë ftuar nga televizionet kryesore për të gjetur prirjet e votës së shqiptarëve në zgjedhjet lokale të majit, kanë rreshtuar pyetje të cilat në disa raste kanë krijuar vend për përgjigje në dukje paradoksale të zgjedhësve. Më të parat ndër pyetjet kanë qenë natyrshëm ato që kanë të bëjnë me qeverisjen, realizimin e pritshmërive nga maxhoranca apo rreth mënyrës sesi ndjehen sot shqiptarët. A jetojnë ata më mirë apo më keq se më parë?! Sipas një sondazhi të marsit të realizuar nga Top Channel për zgjedhjet vendore të 14 majit, del se 1017 persona të pyetur nëse në Shqipëri jetohet mirë apo keq, janë përgjigjur kështu: 46.2 % thonë se jetohet keq, 8.6 % shumë keq, 2.1 % shumë mirë dhe 43.1 % mirë. Pra, plot 54.8% e të pyeturve mendojnë se jetohet keq ose shumë keq.
Një tjetër sondazh i kryer nga Barometri në Euronews Albania, tregonte se 37.4% e shqiptarëve mendojnë se gjërat në vendin tonë po shkojnë keq, 29% mendojnë se gjërat po shkojnë as mirë e as keq dhe 33.1% mendojnë se gjërat po shkojnë mirë. Pra më shumë se katër pikë përqindje në favor të atyre që shprehen negativisht për gjendjen në Shqipëri. Në të njëjtin drejtim duket se shkon edhe sondazhi i realizuar nga Instituti Piepoli në 29 mars, ku 31.8 përqind e të intervistuarve kishin mendim “shumë negativ” për qeverisjen e Ramës, përballë 26 përqind që kishin mendim “shumë pozitiv” për të. I njëjti sondazh tregonte se shumica mendonin se korrupsioni dhe kriminaliteti janë në rritje dhe se media ishte pjesërisht e lirë. Nga këto shifra duket sikur Edi Rama po lodhet kot me tallavanë e tij elektorale nëpër Shqipëri, pasi i paska humbur ende pa nisur zgjedhjet vendore. Nuk është tamam ashtu, madje e kundërta është e vërtetë. Dhe këtu nis një paradoks optik me shifrat e rivalëve në zgjedhje, të cilat zbulojnë copëza të ndryshme të mozaikut zgjedhor, por të veçuara nuk e nxjerrin të plotë tablonë e përgjithshme të fitimtarit dhe humbësit të 14 majit. Djalli fshihet tek detajet, thotë proverbi.
Të njëjtat sondazhe, pak a shumë nga të gjitha televizionet krysore të vendit, duke treguar pakënaqësinë e shqiptarëve me qeverisjen, tregojnë gjithashtu edhe disa tendenca të tjera që bien në fakt ndesh me frymën negative ndaj shumicës aktuale në pushtet. Më e para nga këto tendenca, mjaft e qëndrueshme në vitet e fundit, është ajo që e sheh ende Edi Ramën si liderin politik më të pëlqyer të vendit. Në një sondazh të 21 prillit nga Eurobarometri, Edi Rama shihej si më i pëlqyeri nga 54.1 përqind e të intervistuarve në Tiranë. Ndërsa Berisha e Meta merrnin përkatësisht 33.4 dhe 18 përqind pëlqyeshmëri. Dy të fundit të marrë së bashku pëlqehen më pak se di Rama në Tiranë. Në të njëjtin sondazh shifrat thonë se PS si parti pëlqehet nga 52.6 përqind e tiranasve ndërsa 44.3 përqind kanë mendim shumë negativ për të.
I njejti trend del edhe nga përgjigjet që lidhen me pyetjen rreth fitimtarit të zgjedhjeve në 14 maj. Me përjashtim të bashkive të Shkodrës e Durrësit ku ka garë apo disa njësive të vogla vendore kryesisht në veri historikisht të djathta, socialistët hyjnë favoritë në të gjitha bashkitë e mbetura. Ky rezultat do të thotë fitore politike dhe numerike në 14 maj. Atëherë si shpjegohet diferencimi mes përgjigjeve në pjesën e parë të shkrimit dhe pozitivitetit për qeverinë në pjesën e dytë? Sali Berisha e ka kuptuar me mënyrën e tij këtë diferencë, duke deklaruar se “Edi Rama iu ka dhënë kompanive të polleve 1 mln euro secilës për të falsifikuar rezultatet e sondazheve. Kjo është e vërteta.” Në fakt nuk është aspak kështu. Edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 qytetarët shpreheshin negativisht për qeverisjen, por votuan maxhorancën aktuale ditën e votimit. Dhe ky fenomen shpjegohet shumë thjeshtë.
Duke kryqëzuar Ramën për mënyrën e qeverisjes, shqiptarët e krahasojnë atë dhe partinë që drejton, me kuotën e lartë të premtimeve elektorale që kanë bërë, por e krahasojnë mbi të gjitha me standartin që duhet të ketë një qeverisje. Kur thonë se në Shqipëri jetohet keq, votuesit kanë parasysh një gjendje mbi 30 vjeçare në të cilën vegjeton Shqipëria dhe që Edi Rama ka ditur ta korigjojë vetëm pjesërisht. Në këtë pëërshtypje negative për qeverisjen bën pjesë edhe cilësia në rënie e kabinteve qeveritare, akuzat dhe përfoljet për korrupsion, dobësia e shtetit apo lidhjet e tij të pretenduara me një grusht pasunarësh që kanë ndarë thelat e tortës për të lënë thërrimet për të tjerët. Por kur nga ana tjetër krahasimi i punës së Ramës kalon nga idealja, nga ajo që duhej të ishte performanca e një qeverie normale, tek përballja me emrat konkretë të rivalëve politikë, atëhere qasja e votuesit ndryshon.
Shifrat e mësipërme na thonë qartësisht se Edi Rama s’e ka fituar garën me historinë dhe me projektin e Shqipërisë normale, por se ai vijon të fitojë në mënyrë komode garën me kundërshtarët që do të ketë në fletën e votimit në 14 maj. Nuk fiton garën me modelin e qeverisjes optimale, por fiton garën me modelin e rrënuar Berisha-Meta, të cilët qartazi shqiptarët nuk i duan më majë kalit të pushtetit. Me shifra në dorë. Ky është paradoksi i sondazheve që na tregojnë një fitues me dy pamje në 14 maj. Atë fitues që tashmë konsiderohet si e keqja më e vogël, jo si e mira më e madhe. Është kjo rrethanë që e bën kryeministrin aktual të përsërisë herë pas herë në kamera se është ai vetë i pakënaquri numër 1 me qeverisjen e tij!