Finalja e sezonit 2022-‘23 e Ligës së Kampioneve do të luhet në stadiumin “Ataturk” të Stambollit më 10 qershor 2023, në orën 21:00. I ndërtuar për kandidaturën e Turqisë për të mbajtur Lojërat Olimpike në vitin 2008, stadiumi olimpik u inaugurua në vitin 2002 dhe është shtëpia e kombëtares turke.
I pozicionuar në zonën e Bashakshehirit në Stamboll, në perëndim të Bosforit, ai është një prej impianteve më modernë dhe ka një kapacitet prej më shumë se 75 mijë tifozësh. Kjo do të jetë hera e dytë që këtu do të organizohet një finale e kompeticioneve të UEFA-s, pas asaj mes Liverpulit dhe Milanit vendosur me penallti në 2005-ën, e cila mbahet mend si një prej finaleve më dramatike.