Federata Shqiptare e Futbolli ka dhënë miratimin dhe ka pranuar kërkesën e homologëve grekë, që finalja e Kupës së Greqisë mes AEK-ut dhe PAOK-ut të zhvillohet në Shqipëri. Policia helene nuk e ka marrë përsipër organizimin e një eventi të tillë, për shkak të huliganizmit të dy tifozerive. Edhe Qiproja refuzoi diçka të tillë, teksa Shqipëria ka pranuar këtë organizim. Ka qenë vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka që ka drejtuar negociatat për datën 24 maj.
Nëse më herët kjo finale do luhej në “Air Albania”, gjithçka ka ndryshuar pasi arena e kryeqytetit është e rezervuar në atë datë për koncertin e këngëtarit grek, Nikos Vertis. Gjithçka lidhet me një spostim të ndeshjes në “Elbasan Arena”, 30 kilometra nga Tirana.
Ende nuk ka një konfirmim për këtë duel, ndërsa fakt është se palët kanë dhënë dakordësinë. Gjithçka është në mëdyshje edhe për tifozët, me huliganët grekë që janë të njohur për trazirat e shumta. Pritet që në lidhje me ultrasit klubet të bëjnë përzgjedhje për ata tifozë që do udhëtojnë drejt vendit tonë, nëse finalja e 24 majit konfirmohet zyrtarisht në “Elbasan Arena”.