Ndonëse 3 javë përpara fundit, Kategoria Superiore ende ka enigma për të zgjidhur përsa i përket titullit kampion, zonës së Europës apo dhe të mbijetuarit të fundit.

Në javën e 34 të saj, Tirana kryesuese do të udhëtojë drejt Laçit ku do të gjejë kurbinasit e motivuar për të luftuar deri në fund për një vend në sezonin e ardhshëm në kupat e Europës.

Kryeqytetasit duhet të fitojnë për të vijuar rrugëtimin drejt titullit kampion pasi ndodhen vetëm dy pikë larg kushërinjve të Partizanit që do të presin në “Arenën e Demave”, Vllazninë.

Edhe kjo përballje pritet të ketë emocione, pasi shkodranët njësoj si kurbinasit synojnë Europën.Egnatia e vendit të tretë do të presë Erzenin teksa në Ballsh luhet një ndeshja mes Bylisit dhe Kukësit, e konsideruar si një prej finaleve të mbijetesës.

Teuta ka ende shanse për Europën dhe kërkojnë t’i luajnë ato deri në fund duke filluar nga sot në përballjen me Kastriotin.