Tirana ka humbur titullin kampion në dy javët e fundit të Kategorisë Superiore, duke parë se si trofeu kaloi sot në duart e Partizanit, edhe pse me pikë të barabarta me të kuqtë. Një moment padyshim zhgënjimi për bardhebluë që kishin kryesuar për shumë javë Superioren dhe kishin krijuar bindjen se do të ishin ata përsëri kampionët.
E zhgënjyer ka mbetur padyshim edhe Goldi Halili, vajza e presidentit Refik Halili, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka shfryrë dufin e saj duke folur për “mungesë njerzilleku”, “mbetje toksike” dhe “krizë ekzistencializmi”.
“Çfarë domethënie ka një jetë e lënë pezull, një jetë ku ndonëse ke qenë edhe je zyrtarisht e ndarë nga ndotja, mbetesh ende e pashkurorëzuar!
Kështu Tirona ime, TI mbete krenari, ndonëse e trazuar. Jeto në Shqipërinë tënde si e para edhe e vetmja me kurorë mbi krye, e ulur në fron, me pafundësi çastesh të trishta, por gjithmonë me kohë të mangët për të reflektuar mbi tragjeditë e imponuara, sepse ti s’ke kohë të rrëzohesh ama ke gjithë kohën e nevojshme të masësh hapat e tu prej kampioneje, duke e krahasuar kështu hapin me rekorde të cilat TI vetë ke vendosur. Sa bukur kur matësja e suksesit je sërish TI!
Ka mbetur njerëzilleku anonim! Anonim nga ata që krijojnë edhe prodhojnë veç turp! Fatalitet! Unë kurrë nuk mendova se do të pihet lavdia nga një copë metali i përpunuar. Sa për të gjithë faktorët që kontribuan në mizërinë e djersës, mundit, investimit, emocionit, përjetimit tënd Tiron, ata vetëm sa të krijuan hapësirën për të cilën kishte nevojë zemra jote, atë hapësire realisht të domosdoshme për të hedhur mbetjet toksike për t’i lënë vendin e merituar përkufizimit të fjalës drejtësi!