Pas plot 33 vitesh pritje, Napoli u shpall Kampion i Italisë për të tretën herë në histori. Të kaltërve iu mjaftoi një barazim 1-1 në transfertën e Udinezes për të zyrtarizuar pesë javë para përfundimit titullin e shumëpritur.

Festa e popullit napoletan ishte e jashtëzakonshme teksa qyteti jugor u ndriçua nga flakadanët dhe fishekzjarret ndërsa sheshet ishin të stërmbushura deri në orët e para të mëngjesit. Entuziazmi ishte kudo dhe në këtë pikë as një vend i shenjtë si kisha, nuk mund t’i shmangej.

Një video e publikuar së fundmi tregon se si një prift ndal meshën dhe së bashku me të pranishmit nisin të duartrokasin për skuadrën e zemrës. Një ngjarje mjaft e veçantë që vërteton edhe njëherë tjetër dashurinë dhe krenarinë e napoletanëve për skuadrën e trajnerit Luciano Spalletti.