Gareth Southgate ka publikuar listën prej 26 lojtarësh të Anglisë për sfidat kualifikuese të Euro 2024 në Qershor, ndaj Maltës dhe Maqedonisë së Veriut. Përzgjedhja e re e teknikut 52-vjeçar ka pasur disa surpriza. Si lënia jashtë e Raheem Sterling apo Nick Pope, dhe thirrja e emrave të rinj si Ebrechi Eze (Crystal Palace), Lewis Dunk (Brighton) dhe Sam Johnstone (Crystal Palace).
Me dy fitoret e marra në muajin mars përballë Italisë dhe Ukrainës në grupin C, (rivalët më të fortë të grupit), Tre Luanët hodhën një hap të rëndësishëm drejt Euro 2024. Kompeticion që do të zhvillohet në Gjermani. E si rrjedhojë, Southgate ka bërë një përzierje mes lojtarëve të rinj dhe lojtarëve me eksperiencë. Të cilët janë gjithnjë prezent pavarësisht shkallës kompetitive të ndeshjeve.
Porta u është besuar Jordan Pickford, Aaron Ramsdale dhe Sam Johnstone. Dy emrat e parë janë të afirmuar në përbërjen e kombëtares angleze, por afrimi i Sam Johnstone para Nick Pope të Newcastle, me Johnstone që ka luajtur me Crystal Palace në pjesën e dytë të sezonit, ka habitur këdo.
Në repartin e mbrojtjes janë përzgjedhur emra të rëndësishëm si John Stones, Trent Alexander-Arnold, Luke Shaw, Kieran Trippier, Kyle Walker, Marc Guehi, Harry Maguire. Por nuk mungojnë dhe emra si Tyrone Mings dhe Lewis Dunk, të cilët kanë bërë vërtetë mirë këtë sezon.
Mesfusha i është besuar Jude Bellingham, Declan Rice, Jordan Henderson, Conor Gallagher, Kalvin Phillips dhe Ebrechi Eze, me mesfushorin që ka shkëlqyer me Crystal Palace në muajt e fundit.
Ndërsa në sulm të përzgjedhurit janë janë Harry Kane, Jack Grealish, Marcus Rashford, Bukayo Saka, Callum Wilson, James Maddison dhe Phil Foden. Anglia kryeson e vetme grupin C të kualifikueseve të Euro 2024, me 6 pikë. Në takimet e radhës, kundër Maltës (16 qershor) dhe Maqedonisë së Veriut (19 qershor), priten të tjera rezultate pozitive për të konsoliduar vendin e parë të grupit.