Pesë ditë përpara zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të përgjithshme të 14 majit në Turqi, presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi një rritje me 45% të pagave të punonjësve shtetërore.
Daily Sabah shkruan se paga më e ulët mujore e punonjësve publikë do të rritet në 15,000 lira turke apo 768 dollarë.
“Me këtë protokoll ne po përcaktojmë kornizën e pagës që do të marrin në vitet 2023-2024 gati 700 mijë njerëz. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje kolektive, ne po rrisim pagat me 45%, duke përfshirë edhe pjesën e mirëqenies e duke rritur kështu pagën minimale të punonjësve publikë në 15 mijë lira. Nga ana tjetër, ne do të rrisim pagat jashtë orarit me 70 për qind”, u shpreh Erdogan.
Erdogani theksoi se qeveria do të vazhdojë të punojë për rritjen e pagave minimale për nëpunësit civilë dhe rritjen e pensioneve. “Në korrik kemi bërë dhe disa përgatitje të tjera të bazuara në diferencën e inflacionit dhe pjesës së mirëqenies”, shtoi ai. Kreu i shtetit turk theksoi se qytetarët nuk do të lejohet të “shtypen” nën peshën e inflacionit, i cili ka ardhur duke u lehtësuar ngadalë gjatë gjashtë muajve të fundit.
Rritjet vjetore të çmimeve të konsumit u zbutën akoma edhe më shumë në muajin prill, një trend ky për të cilin qeveria thotë se do të vazhdojë. Erdogan përballet këtë radhë me një betejë të vështirë për rizgjedhje, teksa sondazhet e fundit tregojnë se gara mes tij dhe rivalit kryesor, kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroglu, do të jetë mjaft e fortë.