Së bashku me Laert Haxhiun autoritetet greke kanë arrestuar një tjetër person, Juxhin Barjami i cili drejtonte makinën BMW X6.
Juxhin Barjami nga Delvina rezulton të jetë plagosur në 16 nëntor 2021 në një atentat në një karburant në Nikaia, Athinë ku u ekzekutua me armë zjarri kushëriri i parë i tij, Marius Diamanti 37 vjeç.
Kjo ngjarje rezulton ende e pazbardhur ndërkohë që kohët e fundit policia greke ka zbuluar se Marius Diamanti është autor i dyshuar i vrasjes së një trafikanti belg kokaine në Athinë.
I shumëkërkuar shqiptar, Laert Haxhiu i dënuar me 18 vite burg për masakrën e Lushnjes, po udhëtonte me makinë në zonën e Eleuzës, kur policia i ka bërë shenjë që të ndalojë.
Drejtuesi i mjetit nuk iu është bindur duke u larguar dhe efektivët grekë iu janë vendosur në ndjekje.
Në tentativë për t’u larguar drejtuesi i mjetit tip BMWX6 është përplasur me 3 makina të tjera dhe pasi çan gomën e makinës në një bordurë mbeti i bllokuar në semafor.
Nga përplasja airbagu është hapur dhe policia ka arrestuar 3 personat që ndodheshin në makinë.
Më pas efektivët grekë zbuluan se një nga të arrestuarit ishte 31-vjeçari Laert Haxhiu, i kërkuar për vrasjen në Shqipëri.