81 vite pasi Naim Kryeziu u shpall kampion i Italisë me fanellën e Romës (në vitin e largët 1942), një tjetër lojtar shqiptar arrin që të fitojë titullin në Serie A.
Bëhet fjalë për Amir Rrahmanin, që sot u shpall kampion me fanellën e Napolit, skuadër që nuk fitonte titullin që nga viti 1990, kur në radhët e saj luante Diego Armando Maradona.

Rrahmani spikati me fanellën e Partizanit në vitet 2013-2015 dhe pas një eksperience 4-vjeçare në Kroaci u transferua në Serie A te skuadra e Veronës, ku bëri paraqitje shumë të mira. Paraqitje që ranë në sytë e Napolit, që vendosi të blejë lojtarin në vitin 2020. Ndonëse nisi sezonin e tij të parë si rezervë e Manolas, mbrojtësi kosovar arriti të bindë menjëherë drejtuesit e skuadrës dhe u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Spallettit.
Vitin e kaluar Rrahmani zhvilloi 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 4 gola. Ndërsa këtë vit ka luajtur 25 ndeshje në kampionat (ka shënuar 2 gola), duke qenë një nga protagonistët kryesor të titullit historik, që rikthehet në Napoli pas 33 vitesh.