Berlini njoftoi sot më herët se udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Gjermaninë në fund të këtij muaji, por një njoftim i tillë ka mërzitur Kievin.
Media gjermane t-online, duke cituar burime pranë qeverisë ukrainase, tha se Ukraina ishte e zhgënjyer nga njoftimi, duke e konsideruar këtë lëvizje “papërgjegjshmëri”.
Madje tanimë, thanë burime për medien gjermane, ekzistojnë dyshime nëse udhëtimi mund të ndodhte akoma për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Vlen të theksohet se, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka filluar udhëtimet e huaja vetëm kohët e fundit, pasi ka qëndruar në Ukrainë për muajt e parë të luftës. Ai ka vizituar Uashingtonin, Londrën dhe aleatët e tjerë, duke përsëritur thirrjet për ndihmë shtesë për Ukrainën dhe armë më moderne.
Vizitat e Zelenskyt janë planifikuar kryesisht në fshehtësi për shkak të rreziqeve të larta.