Në tregun grek të pasurive të paluajtshme së fundmi është regjistruar rritje e blerjeve nga të huajt, çka i rrit dhe më shumë çmimet. Arsyeja është se nga 1 korriku, kufiri i investimit në pasuri të paluajtshme për të siguruar një “vizë të artë” në zonat që janë në qendër të interesit të të huajve dyfishohet nga 250 mijë në 500 mijë euro.
Blerjet e pasurive të paluajtshme me vlerë të paktën 1.57 miliardë euro janë bërë gjatë 12 muajve të fundit dhe konkretisht në periudhën mars 2022 – mars 2023, nga investitorë nga vende të treta që janë të interesuar të marrin një leje qëndrimi 0 investimi në Greqi nëpërmjet programit të “vizës së artë”.
Sipas shifrave të fundit zyrtare nga Departamenti i Politikave të Emigracionit, gjatë 12 muajve të fundit janë paraqitur gjithsej 6064 kërkesa për leje të reja. Nga këto kërkesa, 2072 licenca janë dhënë tashmë dhe 3976 të tjera janë në pritje.
Duke pasur parasysh se kufiri minimal i investimit është 250 mijë euro, totali që kanë derdhur në vend kap shifrën e 1.57 miliardë eurove. Megjithatë, në praktikë vlerësohet se ky numër është edhe më i lartë, ndoshta edhe rreth 2 miliardë euro, pasi nuk janë të paktë ata që zgjedhin të blejnë shtëpi më të shtrenjta apo edhe më shumë se një pronë.
Është karakteristikë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë dhënë gjithsej 1052 licenca të reja, me një rritje prej 141% krahasuar me periudhën korresponduese të vitit të kaluar. Nëse ruhet kjo normë, ka mundësi që viti 2023 të mbyllet me mbi 4000 licenca të reja, pa përjashtuar mundësinë që ky numër të jetë edhe më i lartë. Në të njëjtën kohë, gjatë tre muajve të parë të vitit 2023, kërkesat për leje qëndrimi të përhershme investitori u rritën me 156% dhe arritën në 2367.