Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duke analizuar qeverisjen 10 vjeçare të Partisë Socialiste tha se nuk mund të pritet perfeksioni, por theksoi se niveli i jetesës në vend është shumë më i mirë se një dekadë më parë.
I ftuar në studion e emisionit “Kontrast” në Report TV, Ndreu tha se është e pamundur që Shqipëria të mos jetë e prekur nga fenomene si korrupsioni apo kriminaliteti që ndodhin në shumë vende të tjera, por sipas tij situata është shumë më e mirë nga çfarë ka qenë 10 vite më parë.
“Nuk mund të thotë askush që Shqipëria është më keq se 10 vite më para. Kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Por ata që mendojnë se këtu jetojmë në shtetin e mrekullive dhe se gjithçka që ndodh këtu duhet të ndodhë në nivelin më të lartë.
Nuk mund të ketë këtu perfeksion, nuk mund të ruhemi nga fenomene që ndodhin kudo, si korrupsioni kriminaliteti etj. Gjërat maten, a është niveli i jetesës më e mirë. A është siguria më e mirë? Po, por mendoj se mund të jetë edhe më mirë”-tha Ndreu.
Duke folur për këndvështrimin e tij mbi fusha ku mund të ketë përmiësim, ai tha se duhet të punohet më me kujdes me policinë edhe rendin publik. Sipas tij, policia ende nuk ka investimet e duhura në nivelin teknik për të garantuar nivelin maksimal.
“Personalisht do kisha pretenduar që me rendin të ishte punuar më me kujdes. Politika duhet të kuptojë se tensioni mes nivelit politik dhe teknik në policinë e shtetit ka ekzsituar historikisht. Të gjesh formulën të dalësh nga ky batak duhet që politika të përgjigjet për investimet në polici, për krijimin e kushteve logjistike etj. T’i japë objektivat dhe ta lërë të punojë”-tha kryebashkiaku.
Për Ndreun, puna e Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm është e lavdërueshme sa i takon faktit që është i vetmi ndër ministrat që nuk del shpesh në media duke komentuar operacionet e policisë.