Policia e Gjirokastrës njoftoi të enjten se një turiste gjermane humbi jetën dhe bashkëshorti i saj arriti të mbijetonte gjatë një eksplorimi në kanionin e Langaricës, në jug të Shqipërisë.
Sipas policisë “të dy turistët gjermanë 72 vjeç dhe 66 vjeç kanë qenë duke vizituar me këmbë kanionin e Langaricës dhe për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, shtetasen gjermane e ka marrë rrjedha dhe për pasojë është mbytur, ndërsa bashkëshorti i saj ka mundur të dalë në breg.” Sipas vlerësimeve paraprake dy turistët ishin pa guida dhe pa veshjet profesionale, ndërsa Kanioni i Langaricës konsiderohet me rrezikshmëri shumë të lartë për tu eksploruar në këtë stinë për shkak të prurjeve nga shirat. Pak ditë më parë një rast i ngjashëm ndodhi në Kanionin e Osumit në Berat ku një turist hollandez humbi jetën, ndërsa bashkëshortja e tij u gjet në rrezik për jetën në gjendje hipotermie.
Vetëm në muajin maj në Shqipëri humbën jetën katër turistë të huaj gjatë eksplorimeve pa guida profesionale, ndërsa janë raportuar nga policia disa raste të kërkimit të ndihmës prej turistëve të humbur në terrene të vështira. Federata shqiptare e Rafting shprehu shqetësimin dhe e vlerësoi si gjendje të jashtëzakonshme në kanionet e Shqipërisë faktin se turistë pa guidat profesionale dhe pa mjete te sigurisë si jelek, skafandra dhe litarë shpetimi, radio, etj, kryejnë vizita eksploruese. Fedarata kërkoi që gjithë personat, vendas apo të huaj, të cilët bëjnë aktivitete sportive dhe aventure si rafting, kayaking dhe eksplorim kanionesh, t’i referohen guidave profesioniste të licencuara.
Federata kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve qëndrore dhe vendore, si dhe në mënyrë të veçantë, të të gjitha agjencive dhe operatorëve turistikë, që të informojnë turistët e huaj për rrezikshmërinë e hyrjes në kanion pa informacionin dhe pajisjet përkatëse. Federate u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor që të gjitha destinacionet turistike natyrore dhe të sportit të aventurës të pajisjen me tabela informuese për nivelin e vështirësisë dhe pajisjet e nevojshme profesionale që kërkon eksplorimi apo aventura në zona të caktuara.