Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Librazhd, se në territorin e fshatit Koshorisht, Librazhd, në vendin e quajtur “Çereshta” kishin përshtatur terrenin për kultivimin e bimëve narkotike, kanë kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Çereshta”.

Shërbimet e Policisë Librazhd, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale dhe ato “Shqiponja”, të DVP Elbasan, gjatë kontrollit të territorit, duke përdorur dhe dronët e Policisë, bazuar dhe në informacioet e siguruara më parë, në territorin e fshatit Koshorisht, në vendin e quajtur “Çereshta”, gjetën në një zonë të pyllëzuar 580 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në kubikë gati për mbjellje në një sipërfaqje toke të hapur rishtas për këtë qëllim. Fidanët u asgjësuan me anë të djegies dhe një sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të 2 shtetasve, si autorë të dyshuar të këtij rasti, konkretisht shtetasit S. D., 35 vjeç dhe K. D., 40 vjeç, banues në Librazhd.Vijon puna për kapjen e këtyre shtetasve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të implikuar, në këtë veprimtari.

Gjatë kontrollit, në afërsi të vendit ku u gjetën fidanët, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një automjet që dyshohet se përdorej nga autorët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.