Nga:Mero Baze
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka filluar të mendojë me zë të lartë kundër Albin Kurtit. Fjalimi i sotëm në Parlamentin Evropian, bie ndesh me retorikën izoluese të Albin Kurtit dhe qëndrimin e tij anti-perëndimor. Vjosa Osmani, e cila është e dyta pas Ibrahim Rugovës që flet në emër të Kosovës në Parlamentin Evropian, citoi Ibrahim Rugovën dhe sloganin e tij “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Por të gjithë këto i ka bërë jo vetëm për të shpëtuar Kosovën, por dhe Albin Kurtin.
Në një farë mënyre ajo është zyrtarja më e lartë e Kosovës, që po përpiqet t’i japë garanci Perëndimit, se Kosovën nuk do ta lëmë në duar të Albin Kurtit, ndërsa Albin Kurtin duket se po e qetëson, duke i thënë se nuk do të lë në duar të armiqve të tu perëndimorë.
Retorika saj ka ndryshuar edhe karshi krerëve të shtetit shqiptar, presidentit Begaj dhe kryeministrit Rama, ndaj të cilit shpesh herë ka shfaqur dhe shenja të urrejtjes në publik. Përmbajtja e saj pas anulimit të mbledhjes dhe këmbëngulja se duhet të bashkëpunojmë me Shqipërinë, është shumë larg gjuhës së saj të vjetër kundër Shqipërisë.
Por a është e dobishme Vjosa Osmani si zjarrëfikëse e Albin Kurtit?
Duket që kërkon të jetë e dobishme dhe nuk duhet ta paragjykojmë. Por problemi është se Albin Kurti nuk është duke kërkuar zjarrëfikëse, por duke kërkuar benzinë për zjarrin.
Ndërsa në Veri të Kosovës sot ushtria serbe rrëmbeu tre policë të Kosovës, duke shpikur “shkeljen” e vijës kufitare, Albin Kurti, i cili po predikon sovranizmin në Kosovë, pa NATO dhe SHBA veproi si “sovranist” dhe bllokoi doganat e Kosovës që fusin mallrat nga Serbia.
Nuk dua t’i hyj debatit se çfarë efekti ka ky veprim, por një gjë është e qartë, që Albin Kurti nuk ka asnjë plan, por vepron në bazë të emocioneve dhe vendosmërisë së tij për ta përshkallëzuar konfliktin. Dhe mungesa e një plani për të dalë nga ky tunel ku ka hyrë, e bën atë përditë e më të paparashikueshëm dhe përditë e më të pakoordinuar me ndërkombëtarët, por dhe vet forcat politike në Kosovë.
Kështu, presidentja Osmani është e lirë të reagojë ashpër ndaj rrëmbimit të tre policëve të Kosovës në Veri, por e ka të vështirë të mbrojë apo sulmojë bllokimin e pikave kufitare papritur, një akt i cili rikthen tensionin dhe gjendjen e luftës mes dy vendeve, duke mos llogaritur dhe dëmet për ekonominë e Kosovës.
Dhe në këtë aspekt qëndrimet e saj publike, ose duhet të jenë deri në fund të vendosura kundër politikave të qeverisë, ose do të bëjnë më shumë dëm, pasi nga një anë e egërsojnë Albin Kurtin, i cili e ndjen se ajo nuk është në një gjatësi vale me të, dhe nga ana tjetër krijojnë iluzionin e rremë që ata janë bashkë.
Roli i saj si zjarrëfikëse nuk ka për të funksionuar. Ajo mund të fikë zjarret që Albini ndez me Shqipërinë, pasi Shqipëria është vetë e kujdesshme të mos dëmtojë Kosovën, por ajo nuk e shuan dot me një fjalim zjarrin që Albin Kurti ka ndezur me bashkësinë euroatlantike, dhe akoma më shumë nuk ja del dot të përdorë “sovranizmin” e Albin Kurtit për të liruar policët e Kosovës të rrëmbyer, apo për të normalizuar gjendjen në doganat e Kosovës.
Albin Kurti pak nga pak po hyn në spiralen e Sali Berishës, i cili me shpresë se një ditë do t’i bjerë telefoni dhe ata nga SHBA apo Brukseli do t’i kërkojnë ndihmë, përpiqet të bëjë gjithë marrëzitë që i vijnë në mendje. Por Sali Berisha nuk ka dhëmbë të kafshojë, se i kanë rënë dhe llastikët e brekëve.
Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe ka ende plot gjëra në dorë për ti bërë dëm Kosovës, në përpjekje për të “gjunjëzuar” Perëndimin. Problemi është se nuk do marrë kurrë një telefon ku t’i kërkojnë ndjesë, por mund të marrë një telefon që nuk do t’i bëjë punë as ndjesa që do t’u kërkojë.
E nesërmja mund të rezervojë surpriza të tjera, por është e qartë dhe deri në këto momente, se Vjosa Osmani ka vendosur t’u tregojë me zë të lartë të gjithëve se nuk është si Albini, dhe Albini po ashtu ka vendosur të tregojë qoftë dhe për këtë shkak, se nuk ka ndërmend të ndikohet prej saj. Ajo është e dënuar ose të jetë në rresht me Albinin, ose përballë tij. Autokratët nuk të lënë kurrë të jesh midis.