Anna Oxa ka përjetuar një situatë aspak të këndshme pas koncertit të saj të fundit në Romë. Këngëtarja italo-shqiptare u ndoq nga fansat në qendër të kryeqytetit. Një grup fansash ishte i vendosur për të bërë një foto me të dhe nuk patën mëshirë duke vrapuar nga pas artistes, e cila pas spektaklit ishte nisur për të ngrënë darkë në një restorant. Episodi u denoncua nga një prej anëtareve të stafit të Oxa-s, në një postim në Instagram.
“Ndjekje deri brenda në restorant, në një vend ku kemi shkuar shpesh në Romë. Një grup djemsh u larguan nga pronarja e restorantit, në mënyrë që klientët të darkonin të qetë. Të pakënaqur, pritën që të dilnim nga restoranti dhe vijuan të na ndiqnin deri në hotel.
Oxa u la poshtë hotelit nga shoferi. Më pas një tip mu afrua dhe më kërkoi që të vinte edhe në mëngjes sepse kishte paguar biletën për të parë koncertin. Sipas tij, artistja duhet të ishte në dispozicion të tij për të bërë foto.
Arrita ta largoj, por nuk do ta besoni. Mëngjesin e sotëm kur dola nga hoteli për të bërë gati automjetin, jashtë ishte ende ky grupi që thonin se ishin fansa”, rrëfeu bashkëpunëtorja e Oxa-s.