Një tjetër anëtar i grupit kriminal është arrestuar si i përfshirë në atentatin e ‘dështuar’ në Berat ndaj një personi.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale shtetasi G. M., 50 vjeç, banues në Korçë, ndërsa uniformat blu janë vënë në ndjekje të personave të tjerë.
Kujtojmë se nga 3 personat e grupit kriminal, janë arrestuar vetëm 2 dhe një tjetër ndodhet ende në kërkim nga policia.
Njoftimi i policisë:
Berat/Vijon operacioni policor i koduar “Objektivi”.
Identifikohet një tjetër shtetas i implikuar në rastin e tentativës për të kryer atentat ndaj një shtetasi, në qarkun e Beratit.
Vihet në pranga 50-vjeçari nga Korça. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të operacionit policor të koduar “Objektivi”, si rezultat i të cilit u parandalua atentati ndaj një shtetasi, që do të kryhej nga një grup kriminal, strukturat e DVP Berat kanë vijuar hetimet e thelluara në lidhje me këtë rast. Në vijim të veprimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, gjatë 48 orëve të fundit, janë shoqëruar 13 shtetas dhe vijon shoqërimi i shtetasve të tjerë që mund të kenë dijeni mbi atentatin e mbetur në tentativë.
Si rezultat i hetimeve të thelluara u identifikua edhe një shtetas tjetër i implikuar, konkretisht shtetasi G. M., 50 vjeç, banues në Korçë.
Falë koordinimit të veprimeve mes Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi i këtij shtetasi në ambientet e DVP Berat, ku në përfundim të veprimeve proceduriale u bë ndalimi i tij, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe monucioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Korcë dhe të DVP Tiranë, dhe në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, duke siguruar bashkëpunim me Policisë e Kosovës, vijojnë veprimet komplekse për kapjen e shtetasve në kërkim dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit G. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.