Juristi Kreshnik Spahiu e quajti të padrejtë dhe të pambështetur kërkesën e ministrisë së jashtme greke, e cila kërkoi që Fredi Beleri të lejohet të bënte betimin si kryebashkiak i Himarës.
Ai tha se vërtet Beleri cilësohet i pafajshëm deri sa të jepet një vendim i formës së prerë, por ai nuk mund të shkonte të bënte betimin në zyrën e bashkisë, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.
Ai tha se Beleri nuk është i vetmi i arrestuar, pasi edhe ish-kryebashkiaku Gjici tashmë është në burg, po ashtu edhe ai i Bulqizës dhe ligji është i barabartë për të gjithë.
“Sot kishim reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë e cila kërkonte që gjykatat shqiptare të lejonin Fredi Belerin që të betohej dhe të merrte mandatin për kryetar bashkie.
Unë gjykoj se presioni i Athinës është i padrejtë dhe i pambështetur në precedentët penalë dhe në legjislacionin shqiptar. Qeveria greke pretendon që Fredi Beleri duhet të marri detyrën si kryetar bashkie deri në një vendim të formës së prerë nëse ai është i fajshëm apo i pafajshëm.
Pyetja që unë kam është Safet Gjici, i cili u hoq nga kryetar bashkie, për një aferë seksuale në zyrë, është dënuar fajtor me dënim të formës së prerë, apo është masë paraprake? Edhe ai edhe Beleri janë në masën e arrestit dhe nuk janë dënuar me një vendim të formës së prerë.
Të njëjtin standard që ka mbajtur gjykata për Safet Gjicin, të njëjtin po mban edhe për Fredi Belerin, të dy janë të pafajshëm deri sa të shpallen fajtor me vendim gjykatë, por të dy nuk hetohen në gjendje të lirë, por në masën e sigurisë të arrestit, për shkak të rrezikshmërisë së veprës penale”,-tha Spahiu në Euronews Albania.