Kjo atmosferë prej ndërmjetësi të madh dhe si shtyllë e stabilitetit të Rusisë është shumë e dëmtuar. Por dëmtimi i imazhit është një gjë, ndërsa dëmtimi i pushtetit një gjë tjetër.
Rebelimi i kreut të grupit “Wagner”, Jevgjeni Prigozhin ngre një sërë pyetjesh mbi pozitat e Vladimir Putin. Por Mira Milosevich, studiuese në Institutin Mbretëror Elkano thotë se nuk ka sinjale se kjo kryengritje mund të shënojë fillimin e fundit të Putin. Ajo beson se dobësia e tij është më tepër politike sesa ushtarake. Sinkron Mira Milosevich, studiuese, Instituti Mbretëror Elkano, Spanjë:
“Për momentin nuk ka tregues se revolta kërcënon pushtetin e Putin në mënyrë serioze. Tashmë kalimi i pushtetit nga “Wagner” tek forcat e armatosura ruse është bërë. Ndaj nuk do të ketë një ndërprerje të koordinimeve të forcave ruse në Ukrainë. “Wagner” është një grup ofensiv, por për momentin Rusisë nuk i duhet. Nuk është i pazëvendësueshëm, pasi Rusia ka aktualisht një strategji mbrojtëse përballë kundërofensivës ukrainase”.
Në terren, në Ukrainë, kriza po minon moralin e trupave pasi sipas ekspertëve, ata nuk e kuptuan kurrë objektivin e operacionit special ushtarak. Për më tepër, spekulohet se Putin do të bëjë ndryshime në lidershipin e ushtrisë dhe qeverisë, duke përdorur zgjedhjet e 2024-s si mundësi.
“Nuk mendoj se Putin është i kënaqur me ushtrinë. Madje, duket se ai nuk e beson shumë ushtrinë ruse pasi Prigozhin e kritikoi ushtrinë publikisht dhe Putin e la ta bënte. Dhe mesa duket, gjithçka ndodhi sepse Putin nuk i zë besë shumë forcave të armatosura të tij”, thotë Oleg Ignatov, analist, Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Edhe pse dyshimet në Rusi mbi regjinë e luftës po rriten, me ministrin e Mbrojtjes që e drejton atë, në terren nuk priten pasoja të mëdha dhe imediate. “Lufta vazhdon të jetë e ashpër dhe ushtria ruse ka shumë probleme. Probleme po përjeton edhe ushtria ukrainase dhe unë nuk pres ndonjë pasojë të menjëhershme atje”, shprehet ai.