Kjo javë pritet të sjellë zhvillime konkrete te Dinamo, si në aspektin e afrimeve, ashtu edhe atë të largimeve. Prej ditësh janë disa emra që qarkullojnë si përforcime të mundshme të skuadrës blu, por situatat ndryshojnë vazhdimisht. Një sektor që po shihet me përparësi aktualisht nga drejtuesit e Dinamos është pikërisht porta. Stivi Frashëri mbetet kandidati kryesor për të mbrojtur kuadratin blu sezonin e ardhshëm.
Korçari nuk e ka rinovuar kontratën me Ballkanin e Suharekës dhe gjasat janë të pakta që të vazhdojë të qëndrojë me kampionët e Kosovës, për më tepër që së fundmi skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka prezantuar si afrim ish-portierin e Kombëtares U-21, Andrea Hoxha. Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se për momentin janë edhe dy rivalë të Frashërit për të mbajtur portën blu. Njëri prej tyre është Aldo Teqja dhe tjetri Mario Dajsinani, të dy njohës të mirë të Superiores, që është edhe kushti kryesor i stafit teknik për përzgjedhjen e portierit të ri. Për Teqjën, i huazuar te Bylisi në sezonin e fundit nga Partizani, duket më e vështirë. Klubi i kuq e ka në planet e veta dhe pritet ta mbajë edhe një sezon, kështu që për blutë do të jetë e komplikuar të arrijnë një marrëveshje me kolegët e tyre te Partizani, që për më tepër e shohin si titullar.
Nga ana tjetër, Dajsinani mbylli sezonin me Laçin, nga ku ka pasur shumë largime, por portieri nuk është shkëputur ende prej këtij ekipi, kështu që përsëri situata mbetet e ndërlikuar. Për momentin, variant më i mundshëm është ai i Frashërit, aq më tepër që Ballkani ka marrë një portier të ri. Këto ditë me siguri drejtuesit e Dinamos do t’i japin një zgjidhje zyrtare çështjes së portës, ku kërkohet garanci dhe mbi të gjitha një emër që ka eksperiencë në Superiore.
TË TJERËT – Për pjesën tjetër të përforcimeve të Dinamos, emrat janë bërë të ditur prej kohësh. Mbrojtësit Rustem Hoxha dhe Zhoselin Behiratçe presin vetëm zyrtarizimin te blutë, gjithmonë nëse afrikani nuk transferohet në një klub jashtë Shqipërisë. Nga ana tjetër, Albano Aleksi mbetet një pistë e hapur për mesfushën, po ashtu si ajo e Saliu Guindo për sulmin. Megjithatë, kjo javë mund të sjellë edhe surpriza në kampin dinamovit, ku financat nuk mungojnë. Në anën tjetër, klubi po punon edhe për afrimin e një drejtori sportiv. Për momentin qarkullojnë disa emra, por nga drejtuesit më të lartë nuk ka asnjë konfirmim, pasi po shqyrtohen të gjitha pistat për të arritur në një konkluzion.
AKORDET – Nuk është e thënë që një akord paraprak të konkretizohet me një firmë në kontratë. Të paktën kështu po i ndodh Dinamos. “Panorama Sport” mëson se klubi kryeqytetas ishte në kontakte edhe me mesfushorin elbasanas, Ardit Hila, por ai rinovoi zyrtarisht me Tiranën, kështu që blutë duhet të kërkojnë për një mesfushor tjetër, përveç Albano Aleksit, që gjithsesi nuk është ende punë e kryer./PANORAMASPORT.AL