Finalja ndaj Manchester Cityt ka qenë me shumë mundësi ndeshja e fundit e Marcelo Brozovic me fanellën e Interit, teksa mesfushori kroat po shijon pushimet, por po mendon edhe për të ardhmen e tij.
Zikaltrit kanë ndërmend ta shesin këtë verë për të ulur buxhetin e pagave, por edhe për të arkëtuar një shifër të konsiderueshme parash, në mënyrë që të mund të sponsorizojnë merkaton në hyrje.
Inzaghi ka dhënë miratimin e tij për shitjen e Brozovic, pasi në atë rol është përshtatur më së miri turku Calhanoglu dhe si alternativë pritet të ketë më shumë hapësira mesfushori shqiptar Kristjan Asllani.
Aktualisht për Brozovic vijon të shfaqë interesa Barcelona, që nuk e ka gjetur ende zëvendësuesin e Busquets dhe sheh kroatin si profilin e duhur për ta vendosur para mbrojtjes.
Megjithatë së fund ika hyrë në garë fuqishëm Al Nassr i Cristiano Ronaldos, që është gati t’i japë mesfushorit një pagë prej 55 milionë eurosh për tre sezonet e ardhshme, shifër kjo që ka tunduar jo pak kroatin.
Në të gjithë këtë situatë, Interi vëzhgon me interes dhe pret zgjedhjen e Brozovic, pasi një transferim në Arabi do të sillte në arkat e zikaltërve rreth 25 milionë euro, ndërsa një kalim te Barcelona, mund të rihapë negociatat për këmbimin me Kessie.