Sevilla u konfirmua sërish si “mbretëresha” e Europa League, turne që e fitoi për herë të shtatë pas triumfit ndaj Romës nga pika e penalltive. Verdhekuqtë italianë shigjetuan arbitrin Tylor si fajtorin e humbjes, ndërkohë që Ivan Rakitic e cilëson të drejtë fitoren e skuadrës së tij.
“Ishte një ndeshje shumë e luftuar deri në golin e parë. Skuadrat po respektonin njëra-tjetrën deri në atë moment. Pas golit të pësuar nisëm ta dominonim Romën. Ishim ne padronët e fushës.
Ishte vetëm çështje kohë të futeshim në zonën e tyre dhe të shënonim. Më pas ishim ne që e tentuam fitoren. Sinqerisht besoj se fitoi skuadra më e mirë në fund”, u shpreh mesfushori kroat. I cili iu gëzua suksesit të dytë personal në Europa League me Sevillan.
Skuadra andaluziane ka fituar 7 finalet, duke treguar prej vitesh një lidhje të veçantë me këtë kompeticion. “Sekreti ynë? Rivalët shqetësohen kur përballen me ne në këtë turne. Mendoj se ekziston një lidhje speciale me Europa League.
Na duket sikur ky trofe i përket klubit tonë. Duket joreale, mund të duket e çuditshme, por është e pabesueshme ta fitosh Europa League për të shtatën herë. Edhe një herë treguam se çfarë do të thotë ky titull për klubin, për ne dhe për tifozët tanë.
Ishte e jashtëzakonshme! Dua të falënderoj të gjithë tifozët që udhëtuan drejt Budapestit për të na mbështetur. Le të themi që nuk ka asnjë ekip që e do këtë kompeticion si ne. Nuk është thjesht marketing, ne e ndjejmë realisht Europa League.
Bono? Iu thashë shokëve kur u mblodhëm në mesin e fushës: ‘Bono do të presë dy penallti’. Kemi dy portierë të jashtëzakonshëm. Bono dhe Dmitrovic kanë aftësi të veçanta në pritjen e penalltive”, përfundoi 35-vjeçari kroat.