Menjëherë pas betimit për mandatin e tij të tretë në krye të shtetit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka prezantuar dhe kabinetin e ri qeveritar, me të cilën pritet të drejtojë vendin për 5 vitet e ardhshme.
Ajo që bie në sy të të gjithëve është se përbërja e kabinetit qeveritar është pothuajse e ndryshuar dhe vetëm dy ministra kanë mundur të “mbijetojnë” nga ky riformatim ai i Shëndetësisë dhe Kulturës.
Eksperti i njohur Mehmet Simsek, ish-ministër i Financave dhe më pas Zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike, merr Ministrinë e Financave. Ai pritet të vendosë rregull në politikën financiare të vendit, për të rifituar besimin e investitorëve.
Nga detyra largohet dhe ministri Mevlut Çavusoglu. Tashmë Ministria e Jashtme do të drejtohet nga ish-kreu i shërbimit inteligjent Hakan Fidan.Në Ministrinë e Mbrojtjes, Yasar Gueler, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zëvendëson Hulusi Akar.
Më herët, Erdogan organizoi një darkë zyrtare për mandatin e tij të ri, ku morën pjesë 80 presidentë shtetesh dhe qeverish.